Qeveria nën presion, Bislimi e Lajçaku diskutojnë mbi opsionet për konvertimin e suksesshëm të targave
Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar se sot ka zhvilluar takime dypalëshe në Bruksel me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Sipas njoftimit, në këtë është diskutuar mbi rrugën përpara në procesin e dialogut, por edhe për çështjen e targave, një temë aktuale që ka tensionuar situatën ndërmjet Kosovës mes Serbisë.
“Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi rëndësinë e fokusimit të bisedimeve në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se nuk duhet të lejojmë shpërqendrime të qëllimshme nga bisedimet për normalizimin e plotë nga veprime që synojnë përshkallëzimin në terren”, thuhet në njoftim.
Bislimi ka thënë Kosova mbetet e përkushtuar ndaj dialogut parimor dhe jemi të interesuar të ndërtojmë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët. Gjithashtu, në në fund të njoftimit bëhet e ditur se janë diskutuar edhe opsionet për konvertimin e suksesshëm të targave.
“Zëvendëskryeministri Bislimi përsëriti interesimin e Kosovës për të vazhduar me takime të rregullta në Bruksel, për elementet e normalizimit të plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër. Palët diskutuan gjithashtu dhe opsionet për konvertimin e suksesshëm të të gjitha targave ilegale, në ato legale”, thuhet në njoftim.
Qeveria e Kosovës është nën presion të madhe nga SHBA dhe BE që ta rimendojë vendimin për targat. Deri tani, kryeministrit i qeverisë, Albin Kurti nuk ka dhënë sinjale se do të tërhiqet nga vendimi aktual. /GazetaExpress

