Projekti për Portin e Durrësit, Rama: Nëse kontrata nuk zbatohet, shteti merr gjithçka
Kryeministri Edi Rama nga Kuvendi dha detaje për marrëveshjen për projektin e Portit të Durrësit.
“Do të ngrejë pëshë vlerën e Durrësit, të hoteleve të Durrësit. Fryjini zjarrit sillni vajgur, do të kemi dimër të ashpër dhe po t’i vëmë zjarrit vendit do të ngrohemi. Për herë të parë në një kontratë publike të këtij shteti është garantuar imuniteti i pronës publike. Kontrata parashikon se në rast mos-zbatimi të parashikimeve të saj, investitori shkon deri në marrjen e gjithçkaje që ai ka zhvilluar në atë moment me zero pagesë nga shteti. Nuk ka asnjë kolateral të pronës shtet. Sipas investitorit është hera e parë që nuk i lejohet. Për këtë kontratë ne jemi shumë krenarë”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare e konsideron portin aktual të Durrësit si “skandal mjedisor” dhe “zonë kancerogjene”.
“Një port si në Mesjetë ku tregtohet krom, ku lulëzojnë sipërfaqet ndryshkut dhe ku kalben mjetet e vdekura lundruese, ku shtrohen mijëra metra katrorë ferra dhe ndryshqe. Kur dëgjon ju dhe shikon këtë pamje e kupton pse ju jeni të shqetësuar, ju jeni fiks si këto. Një port ku vinçat e kohës së Adem Rekës e kanë kaluar me kohë edhe moshën e pensionit. Ky port është një skandal mjedisor, një plagë urbane nga e cila rrjedh pisllëk prej dekadash. Kjo zonë e mbetur kancerogjene është ndërfaqja e sotme e asaj zonës tjetër të deridjeshme të qytetit të dytë më të madh të vendit tonë, atij malit me plehra dhe me derra. Me shumë padurim dhe gëzim po numëroj orët deri sa të votohet marrëveshja për investimin më të madh të huaj në historinë e vendit tonë. Ky investim do ta kthejë portin e vjetër të Durrësit nga një platformë e zezë si surrati i gjithë atyre që përndjekin Shqipërinë në një prej porteve më të madh turistike të Mesdheut. Kjo është edhe dita për t’ju dhënë disa përgjigje zëdhënësve të rinj të një mallkimi, një lloj poshtërsie të vjetër”.
Ai theksoi se investimi i parashikuar të bëhet nga kompania Alabbar, nëse nuk zbatohet sipas kontratës, do t’i kalojë i gjithë shtetit.
“Ndërkohë që në një 10-vjeçar do të jetë një motor ekonomik me 8 miliardë Euro në Prodhimin e Brendshëm Bruto, ndërkohë që do ngrejë peshë vlerën e Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Ngrihen me tam-tame gagaxhopullot. Për herë të parë në një kontratë publike është garantuar imuniteti i pronës publike. Gjithashtu kontrata parashikon se në rast moszbatimi të parashikimeve të saj shkohet deri në marrjen e gjithçkaje që ka zhvilluar deri në atë moment me 0 pagesë nga shteti dhe nuk ka asnjë kolateral, të pronës shtet për financimin e projektit, gjë që sipas investitorot është hera e parë që nuk ju lejohet. Këto janë vetëm disa nga detajet e një kontrate për të cilën ne jemi shumë krenarë që ja sjellim për votim këtij Kuvendi”.
Edhe ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj tha se Porti i Durrësit është projekti i parë ku qeveria është aksionere.
“Ne sjellim para jush një kontratë të mirënegociuar që përkthehet në zhvillim ekonomik, me rëndësi rajonale dhe kombëtare. Ne kemi negociuar për më shumë se një vit, dhe nga 33 kërkesa të investitorit kemi pranuar vetëm 5. Shteti do jetë aksioner me 33% dhe nuk do ndryshojnë në asnjë moment pasi ne kemi të drejtën e vetos për çdo vendimmarrje të rëndësishme. Nuk ka asnjë përjashtim nga TVSH, janë 1.1 mld euro kontribute që do arkëtohen në formën e taksave në 20 vitet e ardhshme. Toka as nuk falet dhe as nuk shitet. Është projekti i parë që qeveria bëhet aksionere”, tha Ibrahimaj.