S’ka kaluar Trusti, Besnik Tahiri: Zoti pa ju vra mos e lashtë!
Përkundër që në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa ishte konstatuar miratimi në parim i Projektligjit që mundëson tërheqjen e një përqindje të mjeteve të Trustit, kryetari i Komisionit Armend Muja tha se në bazë të Rregullores së re të Kuvendit të Kosovës nuk ka kaluar ky projektligj.
Deputeti Muja në mbledhjen e radhës, e cila u mbajt pak orë pas saj pwr shqyrtimin e buxhetit 2023, tha se nuk ka pasur vota të mjaftueshme për Trustin. Sipas tij, do të duhej të ishin 5 vota për, jo katër.
Gjatë ditës Komisioni për Buxhet ka shqyrtuar dhe ka konstatuar miratimin e këtij projektligj me 4 vota pro, tri kundër dhe dy abstenime.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit, me rastin e votimit të Projektligjit për plotësimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, në votim kanë marrë pjesë 9 anëtarë të Komisionit, pro kanë qenë 4, kundër kanë qenë 3, dhe abstenim kanë qenë 2. Me këtë është konstatuar se Komisioni e ka përkrahur projektligjin për miratim në parim. Megjithatë, bazuar në nenin 37 të Rregullores së Kuvendit, komisioni merr vendim me shumicën e votave të anëtarëve që marrin pjesë në votim që në këtë rast, për të kaluar në emër të Komisionit, do të duhej të kishte 5 vota për, që nuk është arritur. Dhe me ketë konstatoj se Komisioni nuk e ka përkrahur Projektligjin për miratim në parim ashtu siç parashihet me Rregulloren e Kuvendit”, theksoi Muja.
Nënkryetari i Komisionit nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku kërkoi të përsëritet votimi në një mbledhje tjetër, por për një gjë të tillë nuk është pajtuar pozita.