Fillon zyrtarisht fushata për zgjedhjet lokale të 14 majit në Shqipëri

354
fresco

Në Shqipëri sot nis zyrtarisht fushata për zgjedhjet vendore të 14 majit. Rreth 140 kandidatë të subjekteve politike si, Partia Demokratike; Partia Socialiste; Partia Lëvizja Bashkë; Partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen; Partia e Fronit të Majtë; Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet; si dhe koalicionit “Bashkë Fitojmë” do të synojnë të marrin drejtimin e bashkive në gjithë vendin.

Partitë politike do të prezantojnë programet e tyre deri më 12 maj 2023, e shtuna është heshtje zgjedhore dhe të dielën qytetarët i drejtohen kutive për të votuar.

Gara për 14 majin do të jetë kryesisht mes Partisë Socialiste të Edi Ramës dhe Koalicionit “Bashkë fitojmë” të Sali Berishës dhe Ilir Metës, të cilët kanë kandidatët e tyre në çdo bashki. Sakaq, Partia Demokratike zyrtare e drejtuar nga kryetari i komanduar, Enkelejd Alibeaj, gjithashtu do të jetë në garë, por vetëm në disa bashki.

Në 44 bashki do të garojnë nga dy kandidatë, në 14 bashki do të jenë nga 3 kandidatë, ndërsa në Sarandë do të jenë 4 kandidatë.

Zyra e OSBE-së në Tiranë apelon partitë politike që të respektojnë ligjin dhe rekomandimet e ODIHR. Në mesazhin e shpërndarë, u kërkohet subjekteve që në takimet elektorale të jenë konkurruese me prezantimin e programeve dhe sa më konstruktive. /Alsat.mk

Comments