Kurti ia njeh meritat dhe mbron Thaçin e burgosur
Hera e fundit kur Albin Kurti do ta ndante Hashim Thaçin nga shokët e luftës ishte kur thirrte “Shko Hashim”. Tani, Kurti e njeh kundërshtarin më të madh të tij si “figurë historike”, e do pafajësinë e tij dhe druan se përmes Gjykatës Speciale, që po e gjykon Thaçin dhe shokët e tij, mund të “rishkruhet historia”, në dëm të Kosovës.
Ata janë heronjtë kombëtarë të Kosovës – tani po akuzohen për krime lufte”, është titulli i një artikulli të shkruar nga gazetari britanik, Matthew Campbell, të cilin e ka shpërndarë të dielën Kryeministri Albin Kurti, në profilin e vet. Në artikull ishte cituar edhe një pjesë nga biseda e tij me gazetarin, për Gjykatën Speciale.
Shkrimi fliste për gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë, nën akuzat për krime lufte. Gjykimi nisi më 3 prill.
“Kënaqësi që të flas me Mattheë Campbell për artikullin e sotëm në The Times. Ne folëm për mirënjohjen e Kosovës ndaj Mbretërisë së Bashlkuar për ta rishkruar historinë dhe shikimin e Ballkanit nga Rusia, si front kundër NATO-s”, shkroi Kurti në Twitter.
Brenda artikullit, Kurti citohet se ka thënë se është i shqetësuar që Gjykata Speciale mund ta ndihmojë Serbinë ta “rishkruajë historinë”. Për mundësinë e “rishkrimit të historisë” nga gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së, kishte shkruar gazeta prestigjioze britanike “The Guardian” një javë më parë.
Kryeministri Kurti ia ka përmendur gazetarit britanik se ai dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, kanë qenë kundër themelimit të Gjykatës Speciale, themelimi i së cilës u votua në Kuvendin e Kosovës, në gusht të 2015-s.
Kurti, sot e kësaj dite, deklarohet kundër kësaj gjykate. Kështu ka bërë edhe në intervistën e tij në “The Times”.
Por, ajo që ka ndryshuar tani te Kurti si Kryeministër është qëndrimi ndaj kundërshtarit të madh të tij, ish-Presidentit Hashim Thaçi. Kurti ishte konfrontuar gjatë me Thaçin në Kuvend, ndër të tjera, edhe për Gjykatën Speciale.
Mbahet mend një adresim publik që Kurti ia ka bërë Thaçit në vitin 2019, që niste me thirrjen përsëritëse “Shko Hashim”. Kryeministri i tanishëm e ftonte Presidentin e atëhershëm të dorëzohej në Hagë.
Arritjet dhe sukseset që Kosova i ka pasur falë sakrificave të popullit tonë e të UÇK-së, por edhe falë ndihmës së miqve ndërkombëtarë, u përpoqe t’ia përshkruash vetvetes. Por, kur erdhi puna për të mbajtur përgjegjësi, e mohove UÇK-në, e le në baltë popullin, dhe i tradhtove ata që e mbështetën tradicionalisht Kosovën në arenën ndërkombëtare. Prandaj, ka ardhur momenti që ti të shkosh, atje ku po të thërrasin, në kurthin që vetë ia ngrite ushtrisë çlirimtare, duke ua përdredhur duart deputetëve të partisë tënde e duke na shkelur të gjithëve më 3 gusht 2015. Shko Hashim”, niste letra publike e Kurtit.
Tutje lideri i LV-së ia përshkruante Thaçit burgun e Hagës, duke i thënë se nuk është tragjedi qëndrimi në të.