Vjen Cerberi, në Itali 48.8 gradë celsius, “shkrin” Europa, 10 qytete në alarm të kuq
Temperatura ekstremisht të larta priten në ditët në vijim nga vala e të nxehtit që ka përfshirë pjesë të Europës Jugore dhe Afrikës Veriperëndimore.
Temperaturat pritet të kapërcejnë 40 gradë Celsius në disa pjesë të Spanjës, Francës, Greqisë, Kroacisë dhe Turqisë, por në Itali mund të mbërrijnë deri në 48.8 gradë Celsius shkruan BBC.
10 qytete, përfshirë Firencen dhe Romën janë në alarm të kuq. Të martën, një burrë rreth të dyzetave vdiq pasi i ra të fikët nga i nxehti në veri të Italisë.
Mediat vendase raportuan se 44-vjeçari ishte duke shënuar vijat e bardha në tokë në qytetin Lodi, pranë Milanos, para se të binte në tokë pa ndjenja. Ai u dërgua me urgjencë në spital, ku ndërroi jetë më pas.
Vala e të nxehtit, e pagëzuar si Cerberi nga Shoqëria Meteorologjike Italiane, nisur nga përbindëshi me tre koka që shfaqet në ferrin e Dantes, pritet të sjellë kushte ekstreme në ditët që do të vijnë.
Meteorologët thonë se temperaturat do të arrijnë kulmin të premten: zona të mëdha të Evropës Jugore mund të përballen me temperature tek 40 gradët, e ndoshta edhe më të larta. Nxehtësia ka të ngjarë të vazhdojë edhe në fundjavë.
Vitin e kaluar, si pasojë e të nxehtit në Europë humbën jetën mbi 60,000 vetë, por frika është se kjo valë të nxehti tani mund të shkaktojë edhe më shumë viktima.