Kurti kundër BE-së, të gjithë me BE-në

270
fresco

Kritikat e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti ndaj Bashkimit Evropian, më konkretisht ndaj Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe ndaj Emisarit Special të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak nuk kanë gjetur “vesh” në asnjërën nga vendet partnere të BE-se e që njëkohësisht janë edhe shtetet më mbështetëse ndaj Kosovës si shtet. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania e Britania e Madhe kanë konfirmuar mbështetjen e tyre për BE-në sa i përket dialogut.

Në deklarimet për media të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti pas përfundimit të takimit midis tij dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq akuzoi Borrell dhe Lajçak se kanë marrë anën e Serbisë në dialog. Kështu, ai mbajti edhe një konferencë për media ku me të njëjtin qëndrim, kritikoi ashpër Borrellin dhe Lajçakun për qëndrimet e tyre karshi dialogut dhe marrëveshjes, shkruan Paparaci.com.

Çfarë thanë SHBA-të, Gjermania dhe Britania e Madhe?

Veç një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media foli “zi e terr” për emisarin Lajçak, ai postoi një fotografi nga New York-u në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku shihej duke ngrënë darkë me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Gabriel Escobar dhe këshilltarin e lartë të presidentit amerikan, Joe Biden, Derek Chollet që të dy të përfshirë në dialogun Kosovë – Serbi.

Për më tepër, bashkëngjitur fotografisë, Lajçak shkroi se ishte “e dobishme” të rikonfirmohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian ndajnë të njëjtin lexim të situatës dhe janë në të njëjtën linjë në lidhje me rrugën përpara për Ballkanin Perëndimor. Me këtë, u konfirmua se qëndrimet e BE-së dhe SHBA-së për dialogun janë “në të njëjtin vend”.

Kurti në deklarimet e tij, akuzoi hapur Lajçak se ka marrë qëndrim kundër Kosovës dhe kundër marrëveshjes dhe njoftoi se më 15 shtator kishte kishte shkruar një letër sqaruese mbi atë çka ndodhi në takim dhe ua ka dërguar Gjermanisë, SHBA-ve, Francës e Gjermanisë, ndërsa konfirmimin për pranimin e letrës e kishte marrë vetëm nga dy të fundit.

Lidhur me këtë çështjes, ambasada e Gjermanisë në një përgjigje për Express nuk i ka komentuar deklarimet e Kurtit, por megjithatë kanë mbështetur deklarimet e Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrel për dialogun.

“Për më tepër, ju lutemi referojuni deklaratës së Përfaqësuesit të Lartë Borrell në emër të shteteve anëtare të BE-së që u publikua mëngjesin e sotëm dhe që u mirëprit nga ambasadori gjerman si “një thirrje e qartë kristal e BE-27 ndaj Kosovës dhe Serbisë për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive dhe në mirëbesim pa vonesë të mëtejshme!”, tha ambasada.

Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit ka dhënë një përgjigje sa i përket korrespodencës së Kurtit me Washingtonin zyrtar, duke konfirmuar edhe njëherë “mesazhin” që përcolli edhe fotografia e postuar nga Lajçak në Twitter. Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, SHBA-të thanë se e njohin përpjekjen e Lajçakut për dialogun.

Ne (SHBA) mbetemi të angazhuar ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe partnerët e BE-së në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Falënderojmë dhe njohim përpjekjet e palodhura të Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak”.

Mbështetje për Bashkimin Evropian pati edhe nga Britania e Madhe. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “X”, ata thanë se qëndrojnë pas apelit të 27 vendeve anëtare të BE-së.

“Mbretëria e Bashkuar qëndron pas këtij apeli të qartë nga 27 vendet e BE-së që Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të sinqertë pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në postimin e ambasadës britanike në “X”.

Çfarë tha Kurti?

Në konferencë për media menjëherë pas përfundimit të takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, Kurti kishte deklaruar se kishte pranuar një dokument të cilin e quajti “kushtëzim i Serbisë”, derisa akuzoi se ajo u shndërrua në qëndrim të emisarit special Lajçak.

“Unë sot e mora vesh pse ka gjashtë muaj që nuk ecë puna me zbatimin e sekuencuar të marrëveshjes sepse i është vënë një pengesë kapitale qysh në fillim e që është kushtëzimi i Serbisë. Këtë dokument nuk e kam pasur më herët, nuk e kanë publikuar, kam dëgjuar deklarata e kam besuar se janë qëndrime të njërës palë, por për mua nuk ishte e qartë se qëndrimi i Serbisë është shndërruar në qëndrim të ndërmjetësuesit Lajçak.”, ka thënë Kurti.

Ai më tutje ka thënë se marrëveshja bazë është njohje de facto, por nuk mund të injorohet dhe të hidhet poshtë pasi e njëjta është pranuar dhe është publikuar.

“Për të ecur përpara, duhet të tejkalohet kjo, cilido student i fakultetit juridik kudo në botë kur ta lexon marrëveshjen bazike thotë se jo është njohje reciproke de facto, e kemi preambulën, nenet e para dhe askund nuk e gjen Asociaiconin e Komunave me Shumicë Serbe, duhej të shoh se cilat janë marrëveshjet e Brukselit të cilat iu referohet neni 10 të di se qenkan obligime paraprake. Por kjo marrëveshje është e qartë se është njohje de facto dhe tash ta anashkalosh këtë esencë të kësaj marrëveshje dhe këtë prioritizim të gjërave aty dhe ta vendosësh ASK-në si parakusht thua se jemi në vitin 2013 është në kundërshtim me vetë marrëveshjen bazike që e kemi pranuar dhe e kemi lansuar.”, tha Kurti.

Në këtë vijë të deklarimit Kurti ishte edhe në deklarimin e tij para medieve në konferencë. Ai ka thënë se akuzat e tij nuk janë në drejtim të Bashkimit Evropian si institucion, por për emisarin Miroslav Lajçak.

“Unë nuk do të thosha që ka pasur koordinim të BE-së me Serbinë, por emisari special i BE-së ka pasur koordinim me presidentin e Serbisë, sepse nuk shpjegohet ndryshe fakti që fshihet mungesa e propozimeve të Serbisë e shpërfillen propozimet tona”, u shpreh kryeministri.

Ai tha më tej Serbia nuk ka bërë asnjë propozim veç një dokument kushtëzues.

“Ne kemi besuar që kompromiset që i formulonte Lajçaku janë mes dy propozimeve të Kosovës dhe Serbisë por po del që kanë qenë vetëm deformim të propozimeve tona. Paradoksalisht Serbia e ka bërë përfaqësues Lajçakun”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se në këtë rast nuk mund ta barazoj emisarin evropian me Bashkimin Evropian.

“Kjo duhet diskutuar, kjo mënyrë aspak neutrale e ndërmjetësimit. Emisari Lajçak natyrisht që nuk më jep llogari mua si kryeministër por ai duhet t’i japë llogari Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit Evropian. Unë besoj që ajo çfarë kam thënë këto ditë e fundit është më se e mjaftueshme për këtë llogaridhënie të tij atje”, tha i pari i Qeverisë.

Kurti ka folur edhe për masat e BE-së, ndaj Kosovës të cilat ka thënë se nuk kanë të bëjnë me marrëveshjen bazike.

“Çështja e masave dhe heqjes së tyre ka të bëjë me de-eskalimin në veri të Kosovës, nuk ka të bëjë me marrëveshjen bazike. Masat e i kemi për shkak të përpjekës për destabilizim dhe dhunës së shkaktuar në veri”, tha Kurti.

Çfarë tha BE-ja?

Bashkimi Europian sot doli me një komunikatë ku kërkoi nga të dyja palët që të zbatojnë zotimet e marra në marrëveshjen e dakorduar së fundi.

“Pas takimit të nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë më 14 shtator në Bruksel, BE-ja shpreh shqetësimin e saj për mungesën e zbatimit nga palët të angazhimeve të tyre sipas Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit të saj, të cilat të dyja palët kanë rënë dakord në fillim të këtij viti dhe të cilat janë të detyrueshme për to dhe luajnë rol në rrugën evropiane të palëve. BE-ja mbetet po aq e shqetësuar për mungesën e progresit nga të dyja palët në de-përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës, disa muaj pas shpërthimit të fundit të dhunës që la të plagosur qytetarët, trupat e KFOR-it, forcat e rendit dhe përfaqësuesit e mediave, disa me pasoja të rënda dhe të përhershme”, u tha në deklarate ndër të tjera. /Paparaci.com/

Comments