Kurti në takim pune me Kancelarin Scholz

Përgjatë margjinave të Samitit të Procesit të Berlinit, në Tiranë, sot, Kryeministri Albin Kurti është takuar edhe me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.
Për këtë takim ka njoftuar vetë shefi i ekzekutivit kosovar, i cili ka thënë se me Scholz pati një “takim pune”.
“Takim pune me Kancelarin e Gjermanisë Olaf Scholz, gjatë Samitit të Procesit të Berlinit, në Tiranë”, ka thënë Kurti në mbishkrim të fotografive.
Edhe gjatë ditës, kancelari Scholz la disa porosi në lidhje me krisjen e vazhdueshme të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, sidomos pas sulmit terrorist që kjo e dyta kreu në territor të Banjskës.
Scholz ka thënë se është koha për të tejkaluar krizat.
“Krizat e shumëfishta këtu në rajon në Ballkanin Perëndimor kanë theksuar nevojën urgjente për të punuar më fort së bashku dhe për të tejkaluar antagonizmat. Ka ardhur koha për të tejkaluar konfliktet të cilat kanë vijuar për shumë më gjatë. Përshkallëzimet e fundit në veri të Kosovës, kanë vërtetuar sesa të rëndësishme janë këto”, u shpreh Scholz.
Kancelari gjerman porositi Kosovën dhe Serbinë që të zbatojnë marrëveshjet e arritura përmes dialogut.
“Ne duhet të përfundojmë më në fund zbatimin e marrëveshjeve të cilat janë arritur me anën e dialogut të udhëhequr nga BE-ja”, tha ai.