Njësia Speciale Intervenuese bojkoton presidenten në “Darkën e Lamës”

262
fresco

Në qendrën e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës “Enver Zymberi” në Mitrovicë, nën patronatin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, sivjet është organizuar “Dita e Falënderimeve” apo siç njihet ndryshe “Darka e Lamës” ose “Darka e Bereqetit”. Por, njësitet elitare intervenuese policore (NJSI) kanë bojkotuar organizimin për shkak të pakënaqësive.

Njërën prej festave shtetërore që organizohet tradicionalisht nga insitucioni i Presidentit të Shtetit prej vitit 2002, sivjet e kanë bojkotuar pjesëtarët e njësiteve speciale intervenese, ndonëse presidentja Osmani e ka shtruar “Darkën e Lamës” pikërisht në kampin policor në formë mbështetje dhe solidariteti për punën e Policisë së Kosovës.

Burime të Albanian Post brenda Policisë së Kosovës bëjnë me dije se arsyeja e bojkotit të organizimit të sivjetmë është bërë mbi shkakun themelor se Qeveria e Kosovës ka dështuar në plotësimin e kërkesave të tyre, posaçërisht pas ngjarjeve në pjesën veriore të vendit të banuar kryesisht me serbë etnikë.

Duke ditur rëndësinë tradicionale dhe që ka kjo festë, përveç politikanëve vendorë, në këtë event zakonisht janë të ftuar edhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë dhe shumë bashkëpunëtorë institucionalë e miq ndërkombëtarë. Por një organizim që kishte për qëllim parësor nderimin e Policisë së Kosovës, nuk ka shkuar sipas planeve.

“Darka e Lamës” është festë që zakonisht mbahet në fund të tetorit, por edhe nëntor, kur fillojnë të hyjnë në hambar të shirat e të vjelat e punës verore. Ajo quhet e lamës sepse “lama” ka qenë dhe ende është vendi ku janë shirë apo janë bërë të gatshme për t’u futur në hambar e pastaj bluar në mulli të korrat gjatë verës, posaçërisht misri dhe gruri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit. /Albanianpost.com

Comments