Nëse nuk i marrin pagat, minatorët e Trepçës nga nesër hyjnë në grevë

239
fresco

Minatorët e kompanisë “Trepça” kanë kërkuar nga drejtoria që deri të hënën të marrin pjesën e mbetur të pagave, ose kanë paralajmëruar që të futen në grevë. Të pakënaqur me ndërmarrjen metalurgjike janë edhe praktikantët të cilëve nuk u është paguar praktika.

Menaxhmenti ka premtuar zgjidhje të shpejtë por jendja në ndërmarrjen “Trepça” nuk ka qenë asnjëherë më keq që nga paslufta.

Arsim Musës, menaxhmenti i ndërmarrjes i ka mbetur borxh edhe 300 euro, për punën praktike që e ka përfunduar në korrik të këtij viti. Të njëjtin borxh, ndërmarrja ua ka edhe 119 praktikantëve të tjerë që u angazhuan me pagesë për 6 muaj në minierë. Atyre iu pagua puna vetëm për tre muaj, nga 100 euro.

“Ndërmarrja Trepça na ka mbetur borxh secilit prej praktikantëve, edhe shujtat e ushqimit nuk na i ka paguar asnjëherë. Ne kemi pritur boll, nga muaji maj, as Qeveria as ministria e Financave as Ndërmarrja Trepça ende s’na ka paguar këto mjete”, deklaroi Arsim Musa, ish-praktikant.

E nëse kjo pagesë nuk kryhet deri të hënën e javës së ardhshme, ish-praktikantët kanë paralajmëruar padi ndaj ndërmarrjes.

“Jo në këtë javë, jo në këtë fundmuaj, deri më tani nuk ka asgjë vetëm fjalë të kota. Ne praktikën e kemi përfunduar. Shumë nga ne kemi humbur edhe vendin e punës, kemi qenë të angazhuar në sektor privat, tash as me Trepçë as me sektor privat”, tha ai.

Përpos praktikantëve, ndërmarrja “Trepça” për muajin shtator u ka mbetur borxh minatorëve më shumë se gjysmën e pagës bazë. Nëse pjesa tjetër e pagës nuk ekzekutohet deri të hënën, minatorët paralajmërojnë futjen në grevë.

Comments