“The Telegraph”: Veriu – një nga kufijtë më të paqëndrueshëm në Evropë
Në një artikull të gazetës britanike “The Telegraph” kushtuar rrjedhës së tensionuar të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, thuhet se masat e sigurisë në Kosovë janë shtuar ndërsa është rritur edhe frika se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mund të lëvizë ushtrinë drejt Kosovës.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet Policisë së Kosovës, posaçërisht patrullimit në pjesën veriore të territorit të banuar me shumicë serbe: përpara se policët elitarë të Kosovës të nisin patrullimin, ata ngarkojnë makinën “Land Rover” me armatim – automatikët AK-47 gjenden në pjesën e pasme të ulëseve të veturës, pistoleta, dronë dhe jelekë antiplumbë.
Ky është tash një protokoll standard në një nga kufijtë më të paqëndrueshëm në kontinentin evropian”, shkruan gazeta prestigjoze britanike, ndërsa sjell rrëfimin e zëvendësdrejtorit të policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili, para se të dërgonte ekipin e “The Telegraph” në zonën kufitare, tregoi për masat që merren përpara se të nisen për detyrë.
“A i shihni armët?”, pyeti Elshani ekipin e gazetarëve britanikë, ndërsa menjëherë ua shpjegoi arysen pse Policia e Kosovës mban armë të rënda: “Situata nuk është e mirë”. Kjo përforcohet edhe nga përshkrimi i “The Telegraph” për situatën – nacionalistët i kërkojnë presidentit serb që të veprojë për të “mbrojtur” serbët e detyruar të jetojnë nën sundimin kosovar.
Në artikullin e gazetës së njohur britanike përmendet edhe sulmi terrorist i paramilitarëve serbë në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, ndërsa autorja e reportazhit kujton se prej 24 shtatorit 2023, policia kosovare kryen patrulla rutinore përgjatë kufirit, duke kërkuar rrugët ilegale që çojnë në Serbi.
“Banja e ndryshoi lojën – gjendja kaloi në një nivel tjetër për shkak të vrasjeve. Kur derdhet gjak, atëherë është problem”, shtoi Elshani. Ndërkohë, analistët paralajmërojnë se propaganda e Rusisë është duke nxitur trazira në veri të Kosovës, në një shtet ku 93 për qind janë shqiptarë e 4 për qind serbë, shkruan ndër të tjera “The Telegraph” në një artikull të fundit.
Ndryshe, për shumë vëzhgues të huaj e vendorë, perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve lokalë serbë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte, tani rreziku i ri-përshkallëzimit rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor të ngjeshur nga tensionet.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit. /Albanianpost.com