Kurti gjatë homazheve në Qyshk: Kjo masakër është kryer në emër të Serbisë, andaj Serbia duhet të jap përgjegjësi
Në 25 vjetorin e masakrës në Qyshk, Kryeministri Albin Kurti, ka bërë homazhe dhe vendosur lule te pllaka përkujtimore e ngritur në nderim të të vrarëve nga forcat e armatosura të Serbisë, në mëngjesin e 14 majit të vitit 1999.
Kurti tha se kjo masakër është kryer në emër të Serbisë, andaj Serbia duhet të jap përgjegjësi
“Kjo masakër është kryer në emër të Serbisë, andaj Serbia duhet të jap përgjegjësi. Për këto krime, dëbimin e civilëve shqiptarë, shkatërrimin e pronave, vrasjet dhe vjedhjet gjatë zhvendosjes së dhunshme. E drejtësia ka bërë hapa shumë të vegjël e të ngadaltë”, tha Kurti.
Tutje, Kurti tha se qëllimi i Serbisë në Kosovë ka qenë shfarosja e shqiptarëve, por siç theksoi, “ne jemi në tokën tonë, më shumë se para 25 vitesh, e shumë më të fortë se sa para 25 viteve”.
“Ne kemi mbijetuar si popull dhe kemi qëndruar të fortë. Nga hiri i luftës jemi ngritur me jetën e re në liri. Së bashku çdo ditë po e forcojmë Republikën tonë, duke punuar me përkushtim e dashuri”, tha kryeministri Kurti.
Gjatë periudhës 25 mars – 14 maj 1999, në Qyshk janë vrarë 44 persona. Më i riu ishte 18 vjeç, e më i moshuari 91 vjeç.
Në këto homazhe,Kurti ishte i shoqëruar edhe nga zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Emilja Rexhepi, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Mevlud Sinani, si dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

