E nisën me ShBA-në: Zanafilla e çarjes Kurti – Osmani

260

“Misioni ynë mbetet fuqizimi i shtetësisë… si dhe miqësia jonë e përhershme me ShBA-në” – ishin këto ndër fjalët e para që Vjosa Osmani e Albin Kurti i thanë pas fitores së 14 shkurtit 2021. Tash, kur ky i fundit është gati në përfundim të mandatit, situata ka ndryshuar. Dy liderët nuk shihen më aq të afërt sa në ditën kur e shpallën fitoren, dhe pikërisht marrëdhënia me Amerikën do ta shkaktonte çarjen e parë mes tyre.

Për herë të parë prej kur i morën dy pozitat kryesore në krye të vendit, mosmarrëveshjet mes Kurtit e Osmanit janë bërë të ditura publikisht.

Do të ishte kryediplomatja Donika Gërvalla, njëkohësisht kryetare e partisë “GUXO”, e themeluar nga Osmani, që do të njoftonte se bashkë me Kurtin kanë vendosur ta bëjnë një draft të statutit të Asociacionit.

Të njëjtin, pas kësaj, do ta dërgonin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Për këto dy lëvizje të tyre, ata s’e njoftuan fare presidenten:

“Presidentja Osmani përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve.

“Kjo letër nuk është e tillë. Mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën” – njoftoi presidenca.

Kurti, Osmani dhe ShBA-ja
Mosmarrëveshjet mes kryeministrit Kurti e presidentes Osmani janë më të thella se kaq. Kryetarja e shtetit në vazhdimësi ka pasur dallime me shefin e Qeverisë sa u përket temave që kanë nxitur reagim të ashpër nga ndërkombëtarët, në veçanti ShBA-ja.

Dialogu me Serbinë, draft-statuti i Asociacionit dhe çështja e dinarit janë vetëm disa prej këtyre çështjeve.

Vendimi për ndalimin e pagesave me dinarë, i cili hyrë në fuqi me 1 shkurt të këtij viti, do ta ashpërsonte gjuhën e ShBA-së dhe do të prodhonte shtatë takime deri më tani në Bruksel mes Kosovës e Serbisë, për të ardhur deri në zgjidhjen e situatës.

Për këtë, Osmani ia kishte bërë të qartë qëndrimin e saj Kurtit:

“Kjo çështje mund të zgjidhet këtu në Kosovë, nuk është dashur të bëhej çështje fare. Unë jam e bindur se nëse ka vullnet me një takim, i cili mund të zgjasë disa orë, mund të ulen të gjitha institucionet relevante dhe të dalin me hapa konkretë duke u bazuar në ligje dhe të marrim edhe përkrahjen e aleatëve për zbatimin e saj. Siç e dini, nëse kjo çështje nuk zgjidhet me kohë, mund të krijohen probleme të mëtejme”.

Para kësaj, Osmani kishte tentuar ta bindte kryeministrin Kurti që bashkë me ShBA-në të shkruante një draft statut për Asociacionin, por kjo nuk ishte arritur. Partnerit të saj në koalicion, argumentet nuk i ishin dukur bindëse:

“Po ndoshta kryeministrit nuk i janë dukur shumë bindëse argumentet, çka po doni të ju them tjetër. Është pyetje që duhet të ia bëni kryeministrit, pse drafti nuk është hartuar nga ana e Republikës së Kosovës. Ai ka një qëndrim, unë kam një qëndrim të cilin e kam thënë shumë qartë dhe atë para një viti: Kosova është dashur ta hartojë draftin e saj se bashku me SHBA-në”.

Sipas ShBA-së, në anën tjetër, veprimet e fundit të Qeverisë kanë ndikuar në marrëdhëniet me aleatin më të madh të Kosovës, kjo e konfirmuar edhe nga vetë ambasadori amerikan, Jeff Hovenier.

Ndërkohë ShBA-ja e sheh Osmanin si “garantuese primare të marrëdhënieve mes dy shteteve”.

Diskutimi “i tensionuar”
Në dhjetor të vitit 2023, gazetarët kishin kapur një diskutim të tensionuar mes Kurtit e Osmanit.

Ndonëse nuk dëgjoheshin, mënyra e komunikimit dhe gjestet tregonin për një komunikim jo fort të zakonshëm.

Të dyja palët më pas e kishin arsyetuar këtë. Zëdhënësi Përparim Kryeziu kishte thënë se ata po diskutonin, pasi Avokati i Popullit paralajmëroi se do ta dërgonte në Kushtetuese Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Osmani, në anën tjetër, ishte shprehur: “…(kemi diskutuar) për ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe çështjen e përqindjes së grave në lista. Kështu që është përpjekje e vazhdueshme.”

Comments