Franca dënon ashpër vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës: Rrezikojnë normalizimin me Serbinë

171
fresco

Edhe Franca i është bashkuar reagimeve të njëpasnjëshme në kuadër të vendimeve të institucioneve të Kosovës në lidhje me hapjen e urës në veri si dhe mbylljen e Postës së Serbisë atje.
Franca ka “dënuar ashpër shtimin e veprimeve të njëanshme të autoriteteve kosovare në veri të vendit, të cilat ndikojnë në jetën e përditshme të komunitetit serb”.

Kjo është thënë përmes një reagimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme franceze, i publikuar sot.

“Këto veprime rrezikojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë para realizimit të perspektivës evropiane të dy vendeve”, ka thënë ministria e Jashtme e Francës.

Franca u ka bërë thirrje autoriteteve kosovare që “të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i njëanshëm, i cili do të kontribuonte më tej në përshkallëzimin e tensioneve”.

Gjithashtu Franca “inkurajon të dyja palët që të kthehen në tryezën e bisedimeve, nën mbështetjen e Bashkimit Evropian, në mënyrë që të bëjnë përparim në zbatimin e Marrëveshjes Bruksel-Ohër”.

Duhet përkujtuar që dje mbi urën e Ibrit në veri të vendit janë bërë matjet dhe është shikuar nga afër efikasiteti që ka kjo urë për lëvizjen e automjeteve, kamionëve dhe mjeteve më të forta motorike.

Aty janë bërë testimet e ndryshme, derisa nga zyrtarët kosovarë u tha se ura do të hapet me siguri vetëm që nuk dihet dita se kur do të bëhet kjo.

Pavarësisht kundërshtimeve të vendeve mike të Kosovës, Qeveria e Kosovës nuk është zmbrapsur nga kjo çështje.

Madje së fundi u tha se çështja e urës nuk është çështje e dialogut dhe se ajo është zgjidhur që në vitin 2016./Lajmi.net/

Comments