Respekt për Avdullah Hotin

208
fresco

Duke e rishiku marrëveshjen e turpshme të Albin Kurtit në Bruksel dhe aneksin e Ohrit, ku ai pajtohet për Autonomi territoriale të Serbisë në Kosovë dhe praktikisht konfederalizim të pjesës Veriore të Kosovës, iu riktheva edhe njëherë Marrëveshjes së arritur në Uashington nga Avdullah Hoti.
Pa diskutim marrëveshja më e mirë që Kosova e ka arritur me Serbinë. Madje, është për habi se si Hoti arriti këtë marrëveshje ku bash në secilën pikë Kosova favorizohet.
Shkurt:
Si fillim Kosova e largoi dialogun nga Brukseli dhe e çoi në Uashington (dëshirë e përgjithshme e shqiptarëve që Amerika të jetë në dialog e jo qifti i Miroslav Lajçak-ut).
Pastaj, kapi njohjen e rëndësishme të Izraelit. (Pika 16).
Gjithashtu, me këtë marrëveshje Serbia pajtohet që të mos përdorë pajisjet 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, pra nga Kina.
Rrjedhimisht largim i influencës kineze nga Serbia. (Pika 9).
Një pikë më poshtë se kjo, Serbia pajtohet që për të luftuar aktivitetet e paligjshme të zbatojë dhe funksionalizojë sistemet e kontrollit dhe informacionit të ofruara nga SHBA. (Pika 10).
Pra, derisa Kinën e largon nga Serbia përmes mos-përdorimit të 5G, Rusinë e largon nga Serbia duke pranuar të fus sisteme kontrolli të informacionit të ofruara nga SHBA-ja.
Për Kosovën që është e interesuar Serbia të mos influencohet nga Rusia, por të kontrollohet më shumë nga partneri ynë strategjik SHBA-të, këto janë pika të jashtëzakonshme të marrëveshjes.
Një pikë tjetër tejet e rëndësishme është pika katër e marrëveshjes ku Serbia pajtohet që të punojë me Departamentin Amerikan të Energjisë dhe departamente të tjera të qeverisë amerikane për çështjen e energjisë.
Në çka e kontrollon Rusia më së shumti Serbinë? Në energji. E pra, Serbia fillon të punojë me amerikanët edhe në këtë drejtim, sipas kësaj marrëveshje.
Gjithashtu, Serbia pajtohet (Pika 15) ta ndërpresë kampanjën e vetë për çnjohje për së paku një vit.
Po, edhe Kosova pajtohet që të mos kërkojë njohje për një vit, por siç po e shohim Kosova s’ka kurrfarë kapacitetesh për të arritur asnjë njohje (dëshmia më e mirë janë këto 3.5 vjet qeverisje e Kurtit, ku s’ka ardhur asnjë njohje).
Derisa në anën tjetër kampanja e Serbisë për çnjohjet ishte dhe vazhdon të jetë e suksesshme. Kështu që me këtë moratorium Kosova s’humbiste gjë e fitonte ndaljen e kampanjës serbe.
Secila pikë e marrëveshjes është e favorshme për Kosovën, ose se përfiton direkt, ose se Amerika futet më thellë në Serbi, çka është interes nacional i Kosovës, sepse lidhja e Serbisë me Amerikën, nënkupton shkëputje nga Kina e Rusia, demokratizim të Serbisë dhe përfundimisht një shtet normal që i normalizon raportet më pas edhe me Kosovën deri në njohje.
Dhe në fund, Hoti e detyroi Vuçiç-in të nënshkruajë.
Normalisht, këtë marrëveshje të jashtëzakonshme për Kosovën të arritur nga Hoti, e kundërshtoi partia anti-kombëtare Lëvizja Vetëvendosje. E pritshme kjo.
Tash, për krahasim, futuni e lexojeni marrëveshjen e arritur nga Albin Kurti dhe krahasojeni me këtë marrëveshje.
Dallimin e shihni lehtësisht.
P.S
I anashkalova krejtësisht përfitimet financiare që vinin nga kjo marrëveshje, që ishin miliardëshe.

Lirim Mehmetaj

Comments