Kurti: Afër gjysmë miliardi euro shuma e investimeve direkte austriake në Kosovë

132

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, qëndrimin në Vjenë të Austrisë, e filloi me një takim dhe bashkëbisedim me bashkatdhetarët tanë dhe miq të Kosovës nën organizimin e Ambasadës së Kosovës në Austri. Së bashku me kryeministrin Kurti ishte edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.
Ai theksoi që Austria është një vend partner, aleate e mike e Republikës sonë e cila ka kontribuar edhe historikisht edhe aktualisht, edhe sa i përket mbrojtjes e sigurisë sonë, por edhe sa i përket ekonomisë e kulturës, për çka shteti dhe populli i Kosovës janë gjithmonë mirënjohës. Me këtë rast, ai i shprehu mirënjohje edhe mysafirëve nga Austria dhe pjesëtarëve të grupit të miqësisë Kosovë-Austri që ishin të pranishëm mbrëmë në këtë organizim, dukë dëshmuar kështu raportet e mira dhe miqësinë që vazhdon.

“Politikanë, aktivistë austriakë që nga vitet ’90-ta e deri në kohët e fundit kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë emra aktiv për opinionin publik në Kosovë. Me këtë rast unë kisha dashur të theksoj Alois Mock, i cili si ish-ministër i Punëve të Jashtme, u bë zë i fuqishëm për vendin dhe popullin tonë në vitet e ’90-ta, e po ashtu edhe ish-kancelari Franz Vranicki e veçanërisht zëvendëskancelari i tij Erhard Busek, e natyrisht edhe diplomatë si, Fürst Albert Rohan, aktivistë edhe intelektualë si, Christine von Kohl, e deri tek parlamentarët evropianë të kohëve të fundit si, Ulrike Lunacek e Lukas Mandl”, u shpreh ai.

Kryeministri Kurti tha se lidhjet tona janë historike, janë kulturore dhe se është i lumtur që përveç mbështetjes politike me Austrinë edhe lidhjet ekonomike edhe tregtare janë duke u rritur.

“Eksportet dhe importet ndërmjet dy vendeve tona, ndërmjet Kosovës dhe Austrisë janë gjithnjë duke u shtuar, ndërkaq sipas Bankës Qendrore të Kosovës është duke ju afruar gjysmë miliardi eurove shuma e investimeve direkte austriake në vendin tonë. Më Austri e kemi rrjetin e bizneseve shqiptare të diasporës në Austri, ndërkaq në Kosovë e kemi Zyrën Komerciale të Odës Ekonomike të Austrisë”, tha ai.

Comments