AQP shpërbleu me tender afër dy milionë euro biznesin të cilin e vizitoi Kurti

Institucionet e Kosovës do të shërbehen me veturat e kompanisë “Mercom” për pesë vitet e ardhshme, bazuar në një kontratë për marrjen me qera të 80 veturave të markës franceze “Peugeot”.
Kontrata është dhënë nga Agjencia Qendrore e Prokurimit, i cili është organ qendror i prokurimit që operon në kuadër të Ministrisë së Financave.
Siç raporton sot FrontOnline, kontrata mes AQP-së dhe kompanisë “Mercom”, e cila është distributore e autorizuar e brendit francez të automjeteve “Peugeot”, është lidhur në shkurt të këtij viti.
Rreth dy muaj më vonë, në prill, kompaninë e shpërblyer me tender publik e vizituan kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministrja në detyrë e Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Shfrytëzimi me qera i një veture për pesë vite do të kapë koston e 24 mijë eurove, bazuar në kontratën e lidhur mes palëve të cilën e ka publikuar sot FrontOnline.
Në total, kontrata parashihet të kap vlerën e 1.9 milionë eurove.
FrontOnline raporton se e njëjta kompani ishte shpërblyer me kontratë për shitje të veturave vitin e kaluar. Vlera e kontratës së dhënë nga AQP-ja vitin e kaluar kap shifrën e 1.3 milionë europër furnizim me vetura të reja, ku për një veturë të re të modelit “Peugeot 308” i janë paguar mbi 22 mijë euro.
Zyra e Kurtit paguan 550 € për një veturë me qira, AQP-ja i paguan 400 €
Për më keq, vet zyra e kryeministrit të Kosovës ka lidhur kontratë direkte me kompaninë “Mercom” në vlerë prej 99 mijë euro më 17 dhjetor të vitit 2024.
Kjo kontratë për marrjen me qira të veturave, sipas dokumenteve që i posedon FrontOnline, përpos që ka çmim më të lartë se kontrata me AQP-në, është në kundërshtim të plotë me Ligjin e Prokurimit Publik, përkatësisht nenin 95 të tij.
Ky nen përcakton qartë se një autoritet kontraktues mund të caktojë AQP-në për kryerjen e një aktiviteti prokurimi në emër të tij.
Autoriteti kontraktues gjithashtu mund të kërkojë nga AQP të ndihmojë atë për kryerjen e aktivitetit të prokurimit që kryhet nga ky autoritet kontraktues. Por, duke e anashkaluar AQP-në, zyra e kryeministrit Kurti i ka paguar kompanisë “Mercom” rreth 550 euro qira mujore për një veturë, përderisa një kosto e tillë do t’i paguhet për 15 vetura.
“Zyra e kryeministrit Kurti përpos që e ka shkelur Ligjin e Prokurimit Publik, do t’i paguaj 550 euro në muaj, ndërsa me kontratën e AQP-së qiraja mujore e një veture është 400 euro”, thotë një burim i FrontOnline brenda Ministrisë së Financave .
“Mercom” në fund të vitit të kaluar i shiti shtetit 58 vetura të reja për rreth 1.3 milionë euro
Kompania e subvencionuar nga Qeveria “Kurti” në nëntor të vitit 2024 kishte nënshkruar kontratë me Autoritetin Qendror të Prokurimit (AQP) për furnizim me 58 vetura nga modeli “Peugeot 308”, ku vlera e përgjithshme e tyre arrinë në rreth 1.3 milionë euro, apo mbi 22 mijë euro për një veturë të tillë.
Nga kompania që e vizitoi Kurti gjatë muajit prill 2025 kanë refuzuar të japin detaje rreth këtij procesi të prokurimit. Sipas tyre, tenderi ka qenë në përputhje të plotë me Ligjin e Prokurimit Publik.

“Tenderi me numër 2016-24-12248-2-1-1 ka qenë tender publik, i shpallur në platformën eProkurimi, ku ne kemi marrë pjesë me ofertën tonë, duke respektuar të gjitha rregullat ligjore në fuqi në Republikën e Kosovës. Pasi qe tenderi është publik, te gjitha te dhënat tjera ne lidhje me ketë aktivitet te prokurimit i gjeni ne ueb faqet zyrtare te prokurimit publik”, thuhet në përgjigjen e kompanisë për FrontOnline.
Shala: Veturat e marra me qira po kushtojnë më shumë se blerja e tyre, Qeveria po manipulon me buxhetin
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, për FrontOnline ka akuzuar Qeverinë Kurti për shpenzime të pajustifikueshme dhe manipulime financiare, duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek kontratat për marrjen me qira të veturave nga institucionet shtetërore.
“Qeveria po krijon shpenzime marramendëse. Kjo Qeveri po jep miliona euro për veturat me qira, të cilat realisht do të kushtonin shumë më lirë nëse do të bleheshin dhe do të ishin asete të shtetit,” deklaroi Shala.
Sipas tij, kjo qasje është bërë tashmë pjesë e praktikës së përditshme të Qeverisë dhe përbën një formë të keqpërdorimit të buxhetit.
“Pra, kjo është praktikë e Kurtit dhe Qeverisë së tij, me manipulimet financiare,” theksoi a për FrontOnline.
Deputeti Shala vlerësoi se mënyra se si po shpenzohen mjetet publike është e gabuar dhe jashtë kuadrit ligjor.
“Nga praktika e përgjithshme, rezulton se buxheti i shtetit po harxhohet në mënyrë jo-juridike dhe mënyrë të keqe,” përfundoi Shala.
Lekaj: Institucionet po shpenzojnë më shumë para për vetura me qira sesa blerja e tyre
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, për FrontOnline ka kritikuar ashpër institucionet shtetërore për mënyrën se si menaxhojnë marrëveshjet për qiranë e mjeteve të transportit. Sipas tij, kontratat shumëvjeçare me kosto të lartë shpesh tejkalojnë vlerën e blerjes së këtyre mjeteve dhe përbëjnë një praktikë të pajustifikueshme.
“Marrja me qira e mjeteve të transportit nga institucionet, për periudha të gjata dhe me kosto që shpesh tejkalon çmimin e blerjes, është një praktikë e pajustifikueshme dhe ekonomikisht e dëmshme,” deklaroi Lekaj.
Ai theksoi se në shumë raste këto kontrata lidhen me interesa të grupeve të caktuara që kanë afërsi me pushtetin, duke ngritur shqetësime për mungesë transparence dhe shpërdorim të parasë publike.
“Këtu kemi të bëjmë me mungesë transparence dhe shpërdorim të parasë publike, prandaj këto veprime duhet të hetohen dhe të marrin përgjigjen e duhur institucionale,” u shpreh Lekaj.
Dragusha nga Demokracia +: Prokurimi publik në Kosovë mbetet i ndjeshëm ndaj rrezikut të favorizimit dhe klientilizmit
Ardit Dragusha nga organizata Demokracia Plus për FrontOnline ka folur mbi praktikat e lidhjes së kontratave për qira të mjeteve të transportit nga institucionet publike.
Dragusha tha se, ndonëse institucionet e prokurimit përpiqen të justifikojnë kontratat për qira si një mundësi fleksibile megjithatë kontratat e tilla rezultojnë të jenë me kosto me oportune.
“Lidhja e kontratave të qirasë për mjetet e transportit për periudha të gjata bëhet për shkak se, sipas vlerësimit të institucioneve publike, në veçanti AQP-së, kjo mënyrë ofron më shumë fleksibilitet buxhetor pasi përfshihet edhe mirëmbajtja e veturave dhe në terma afatgjatë, rezulton të jetë me kosto më oportune,” tha Dragusha.
Ai tha po ashtu se për secilën kontratë duhet të bëhet një analizë mbi koston e përfitimit.
“Për secilën kontratë duhet të bëhet një analizë e kostos dhe përftimit, e cila justifikon qartë marrjen me qira në vend të blerjes,” shtoi Dragusha,
Në lidhje me mundësinë e abuzimeve dhe favorizimit të grupeve të interesit, Dragusha nënvizoi se prokurimi publik në vendin tone mbetët indjeshëm rreziku për favorizimin e klientelizmit.
“Prokurimi publik në Kosovë mbetet i ndjeshëm ndaj rrezikut të favorizimit dhe klientilizmit,” përfundoi Dragusha.