Rasti “Mati”, Prokuroria Speciale sekuestron mbi 2 milionë euro pasuri

Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka njoftuar se në vazhdën e hetimeve në kuadër të rastit “Mati”, është sekuestruar pasuri shtesë në vlerë mbi 2 milionë euro.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti është nën hetime në drejtim të veprës penale “shpëlarja e parasë”.
Në rastin e koduar me emrin “Mati”, gjatë muajit shtator të vitit të kaluar ishin arrestuar tre persona.

“PSRK njofton opinionin publik se në kuadër të këtyre hetimeve, deri tash pasuria e sekuestruar kap vlerën rreth 2,286,054.00 euro. Kjo pasuri shtesë është identifikuar gjatë hetimeve në bashkëveprim dhe mbikëqyrje të ngushtë me prokurorin e lëndës nga Prokuroria Speciale, në emrin e të dyshuarit Sh.C.”, thuhet në njoftim.
Me urdhër ndalues përfundimtar të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special thuhet se janë sekuestruar “20 njësi banesore në sipërfaqe të tërësishme 1788.41 m², me vlerë të përafërt të tregut në lartësi 1,788,410.00 euro; 2 lokale afariste me sipërfaqe të tërësishme 167.54 m², me vlerë të përafërt të tregut në lartësi 335,080.00 euro; 17 vendparkingje (garazha) me sipërfaqe të tërësishme 241.96 m², me vlerë të përafërt të tregut 145,176,00 euro; 6 depo me sipërfaqe të tërësishme 28.87 m², me vlerë të përafërt të tregut 17,388.00 Euro”.
Në njoftim thuhet se për veprimet tjera publiku do të njoftohet në kohë