VMRO DPMNE: Taravari është i shantazhuar, arsyet e largimit duhet të kërkohen në motive biznesi

Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së e ka autorizuar kryeministrin Hristijan Mickoski që të propozojë kuadro të rinj për pozicionet që deri më tani i kanë takuar Aleancës për Shqiptarët, pas vendimit të Arben Taravarit për ta lëshuar koalicionin qeveritar. VMRO-DPMNE-ja, nëpërmjet një kumtese vlerëson se largimi i Taravarit nga koalicioni është bërë pasi kreu i saj, sipas tyre, është i shantazhuar.
“Arben Taravari duhet të jetë i ndershëm dhe të pranojë se informacioni që po përhap tani për largimin nga qeveria, si për shembull se çështjet shqiptare nuk u trajtuan mirë ose se pati një ngecje në integrimin në BE, është vetëm një alibi e zbehtë për veprimet e tij të shantazhuara. Arben Taravari është person i shantazhuar, çmimi i shantazhit të tillë duhet të kërkohet në biznes ose në ndonjë tjetër lloj motivi”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Pretendimet, Aleanca për Shqiptarët i quan shpifje.
“Aleanca për Shqiptarët ka ndjekur me vëmendje “pretendimet” e VMRO-së ndaj partisë tonë dhe kryetarit të saj. Është e pritshme që në këto ditë të rënda të kësaj Qeverie në hall, në mungesë të plotë të argumenteve politike, të ketë shpifje të llojit më absurd. Ne jemi qetësisht të përqëndruar në punën tonë drejt Fitores së Tetorit dhe nuk duam të rëndojmë me asnjë fyerje apo pseudo-akuzë VMRO-në e cila ka mjaftueshëm halle aktualisht”, njoftojnë nga Aleanca për Shqiptarët.
Largimin nga Qeveria, Aleanca e arsyetoi dhe mbështet në çështjet etnike duke përmendur Balancerin, por edhe ligjin për përfaqësim të drejtë dhe punësimet etnike nëpër institucione. Megjithatë, thelbi i konfliktit që përfundoi me ndarje fillimisht nga VLEN dhe më pastaj dhe nga Qeveria, është kontakti i Arben Taravarit me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, të cilin fillimisht e quajti si “kanale komunikimi”, pastaj e tha se ka pasur vetëm një bisedë telefonike, dhe krejt në fund u zbulua se është takuar 3 herë fshehurazi. /Alsat.mk