Kontrata për mbetjet e kafshëve, në prapaskenë “fshihej” një kompani serbe

74
fresco

Një kompani lokale me aksionare një biznes serb me degë në Mal të Zi, e fitoi kontratën për përpunimin e mbetjeve shtazore në Kosovë, ka zbuluar një hulumtim i portalit Kallxo.com.

Kontratën për “Funksionalizimin e objektit për përpunimin e nënprodukteve shtazore”, Ministria e Bujqësisë ia dha më 10 janar të këtij viti kompanisë “LIP KS & IT” Sh.P.K.

Kompania fituese e kontratës, sipas një hulumtimi të portalit Kallxo.com, është një biznes i themeluar nga tre aksionar: Naser Maloku, një sipërmarrës nga Kosova dhe dy kompanitë private “LIPITALIA 2000” S.P.S., me seli në Rosta të Italisë dhe “MR & MNE” D.O.O. me adresë në Podgoricë të Malit të Zi.

Të tre themeluesit e kompanisë, shtetasi kosovar dhe dy subjektet biznesore, figuronin si aksionarë në dosjen e aplikimit dorëzuar në thirrjen e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë për kontratën.

Portali Kallxo.com ka zbuluar se “MR & MNE” D.O.O. me adresë në Podgoricë të Malit të Zi, është një kompani simotër e “MR & Co doo” me seli në Beograd të Serbisë.

Pronësia e bizneseve bie mbi shtetasin serb, Muamer Ragipoviq, bazuar në hulumtimin e portalit Kallxo.com. Ragipoviq figuron si drejtor edhe në kompaninë “MR & MNE” D.O.O. me adresë në Podgoricë të Malit të Zi, e cila kishte aksione në kompaninë kosovare që e nënshkroi kontratën me Ministrinë e Bujqësisë.

Por, një muaj pas nënshkrimit të kontratës me Ministrinë e Bujqësisë, kompania e biznesmenit serb i kishte tërhequr aksionet nga biznesi “LIP KS & IT”, i regjistruar pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), shkruan Kallxo.com.

midle

Kompania serbe ishte tërhequr nga pronësia mbi kompaninë më 20 shkurt.

Aksioniet e saj ishin bartur tek Naser Maloku dhe kompania “ARCHES BAU” Sh.P.K., kompani e cila më vonë do të bashkohej si aksionare e “LIP KS & IT”.

Qeveria e Kosovës, në një vendim të nxjerrë më 9 janar vendosi që të aprovonte dhënien në shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

Një ditë më pas, më 10 janar, Ministria e Bujqësisë e përzgjodhi fituese të kontratës kompaninë “LIP KS & IT” Sh.P.K..

Sipas kontratës së nënshkruar mes palëve, kompanisë “LIP KS & IT” Sh.P.K. i është dhënë e drejta për operim të fabrikës për 20 vite, duke u llogaritur viti 2024 deri në vitin 2044, me mundësi vazhdimi.

Sipas kontratës, kompania obligohet të paguajë një qira prej 30 mijë euro brenda vitit, që i bie nga 2 mijë e 500 euro çdo muaj. Neni 4 i kontratës parasheh edhe subvencionin e kompanisë për çdo kilogram të grumbulluar dhe përpunuar.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në portalin Kallxo.com

Comments