Mickoski: BDI-ja mashtroi shqiptarët me metodologjinë e regjistrimit të vitit 2021

82

Metodologjia e regjistrimit të vitit 2021 është bërë për të mashtruar shqiptarët, tha kryeministri Hristijan Mickoski. Ai akuzoi LSDM-në, por veçanërisht BDI-në, që nuk kemi regjistrim të fundit real.

“Ata që i mashtruan shqiptarët më shumë se 22 vjet, e që janë arsyeja kryesore që në vitin 2002 Komuna e Gostivarit ka pasur 85 mijë banorë kurse në 2021 kur u bë regjistrimi kishte 26 mijë më pak, sollën metodologji me të cilën i mashtruan shqiptarët. Ashtu vazhdojnë të sillen edhe sot dhe do të vazhdojnë të sillen ashtu dhe t’i mashtrojnë votuesit shqiptarë me qëllimin e vetëm që të vijnë përsëri në pushtet. Nuk kanë qëllim tjetër. Dhe me kë duhet të bëjnë qeveri? Me VMRO-në, sipas tyre, antishqiptare, sepse realiteti është që VMRO-DPMNE-ja do të fitojë”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Fronti Evropian e quan deshqiptarizim përpjekjen e kryeministrit për të zhbërë regjistrimin e fundit. Sipas tyre, Gjykata Kushtetuese anuloi vetëm ndarjen e popullsisë në rezident dhe jorezident dhe se shifra e përgjithshme është reale. Thonë se nëse prokuroria nuk merr masa ndaj kryeministrit, do të marrin ata vetë.

“E pyesim kryeministrin vallë a i ka konsultuar juristët e tij përreth? Nëse i ka konsultuar atëherë le t’i largojë, le t’i shkarkojë se fare nuk e kanë informuar ashtu siç duhet. Në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në bazë të iniciativës tonë si Front Evropian, ne kemi kërkuar dhe e kemi arritur që të largohet ndarja, kategorizimi në rezident dhe jorezident ndërsa të dhënat e përgjithshme fare nuk janë prekur. E pyesim kryeministrin, vallë aq shumë i ka shkaktuar dhimbje gjithë ky bashkim i numrave të përgjithshme të shqiptarëve në regjistrimin e vitit 2021? Nëse atyre ua ka prish planin për deshqiptarizimin e Maqedonisë së Veriut, ky nuk është faji jonë, realiteti është ky”, u shpreh Skender Rexhepi, Fronti Evropian.

Mickoski të njëjtën përgjigje rreth regjistrimit e dha edhe në pyetjen rreth përfaqësimit të drejtë etnik, për atë se cilat përqindje do të shfrytëzohen gjatë punësimit dhe ku do të bazohet ligji dhe metodologjia e re për përfaqësim të drejtë etnik.

“Tani ne praktikisht nuk kemi regjistrim real me metodologji aplikative dhe tani flasim për të dhëna prej para më shumë se 20 vitesh sepse regjistrimi i vetëm real për momentin është ai i vitit 2002”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Me regjistrimin e vitit 2021, rezultoi që nga popullsia rezidente 24% janë shqiptarë, kurse bashkë me popullsinë jorezidente, shqiptarët janë 29%. Me regjistrimin e vitit 2002, shqiptarët përbëjnë 25% të popullsisë. /Alsat.mk

Comments