Nëse BDI garon me Bujar Osmanin në Çair, atëherë VLEN do të garojë me Izet Mexhitin?

74

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti, në emisionin “24 Analiza” deklaroi se nuk e përjashton mundësinë të kandidojë për kryetar të Komunës së Çairit.

Sipas tij, aktualisht po zhvillohen anketa të brendshme partiake për të gjithë kandidatët e mundshëm.

Mexhiti sqaroi gjithashtu se ata presin fitore në një numër të madh komunash në bllokun politik shqiptar.

“Ne nuk kemi frikë. Jemi të fokusuar te zgjedhjet lokale, te programi i mirë dhe te kandidatët e mirë, dhe në zgjedhjet lokale do të konfirmohet fitorja e një viti më parë. Mund të ketë edhe rikonstruim të Qeverisë – për ne kjo është e mirëseardhur. Nuk e shohim veten si humbës. Për herë të parë, opozita mori 107.000 vota në zgjedhjet e fundit. Në bllokun shqiptar gara zhvillohet në 17 komuna dhe presim të fitojmë shumicën. Presim fitore në Tetovë, Çair, Gostivar, Dibër, Strugë.”

Ai theksoi se partnerët qeveritarë i ndihmojnë njëri-tjetrit, por nuk ka negociata për mbështetje në rrethin e parë dhe as ndonjë marrëveshje të tillë:

“Marrëveshja gjithmonë ka vlejtur për rrethin e dytë. Nuk kemi nevojë të negociojmë për të dalë me kandidatë të përbashkët, do të dalim me kandidatë të veçantë. Tani po analizojmë terrenin, duam të gjejmë zgjidhjet më të mira dhe në bazë të kësaj do të veprojmë. Nuk do të negociojmë për mbështetje në rrethin e parë. BDI dëshiron ta kandidojë Osmani për Çair dhe atyre u është e qartë se kandidat tjetër nuk është në lojë. Për ne është me rëndësi ta fitojmë Çairin. Po bëhen analiza dhe nuk e përjashtoj opsionin që të kandidoj për kryetar të Çairit” – tha Mexhiti.

Comments