Arrestohet një polic në Gostivar – vodhi para dhe ar nga provat e sekuestruara gjatë bastisjeve

87

Më 3 korrik 2025, në orën 17:50, zyrtarët policorë të Njësisë për Punë të Brendshme në Gostivar arrestuan zyrtarin policor D.S. (51) nga Gostivari, nën dyshimin se ka kryer vepra penale të “Keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe autorizimeve”, sipas neneve 353 dhe 354 të Kodit Penal.

Ai dyshohet se ka vjedhur rreth 25.000 euro para të gatshme dhe stoli ari me vlerë rreth 50.000 euro, të cilat ishin sekuestruar gjatë bastisjeve ku kishte marrë pjesë në cilësinë e të punësuarit në teknikën kriminalistike në Stacionin Policor të Gostivarit. Paratë dhe ari ishin ruajtur në një dollap brenda stacionit policor, për të cilat ai kishte përgjegjësi.

Hetimi në ambientet e Stacionit Policor të Gostivarit është kryer nga një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike në Gostivar, në prani të ekipit hetimor dhe drejtuesve të SPB-së.

Po ashtu, në orën 20:30 të së njëjtës ditë, në rrugën “18 Nëntori” në Gostivar, policia arrestoi I. Sh. (32) nga Gostivari, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “fshehje të sendeve të vjedhura”, pasi kishte blerë stolive të arit të vjedhura.

Pas urdhrit të gjykatës, janë kryer bastisje në shtëpitë dhe objektet ndihmëse të të dyshuarve D.S. dhe I.Sh., ku janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi të lidhura me veprat penale.

Të dy personat janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tyre do të ngriten kallëzimet përkatëse penale.

Comments