94 numri i të vrarëve në Gaza: 45 prej tyre po prisnin për ndihma, thonë autoritetet
Sulmet ajrore dhe të shtënat izraelite lanë të vrarë 94 palestinezë në Gaza të mërkurën vonë dhe të enjten, përfshirë 45 që po mundoheshin të merrnin ndihma humanitare shumë të nevojshme, thanë të enjten spitalet dhe Ministria e Shëndetësisë.
Të afërmit qanin mbi trupat e viktimave të një sulmi që goditi një kamp tendash gjatë natës, përderisa njerëzit e zhvendosur po flinin në jug të Gazës. Të paktën 13 anëtarë të një familjeje u vranë, përfshirë të paktën gjashtë fëmijë nën moshën 12-vjeçare, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
“Fëmijët e mi, fëmijët e mi… të dashurit e mi” – vajtonte Intisar Abu Assi, duke qarë mbi trupat e djalit dhe vajës së saj dhe fëmijëve të tyre. Një grua tjetër e puthi ballin e një vajze të vogël të vdekur në dyshemenë e morgut të spitalit “Nasser” në qytetin Khan Younis.
Në pjesën qendrore të Gazës, një djalë po e ledhatonte fytyrën e motrës së tij të vdekur, 6-vjeçares Heba Abu Etiwi, në një morg të spitalit “Martirët e Al-Aksës”. Vajza dhe një vëlla tjetër i saj ishin në mesin e tetë të vrarëve, kur një sulm të mërkurën në mbrëmje ndodhi afër një tezge ku po shitej ushqim.
Nga një sulm tjetër ndaj një shkolle në Qytetin Gaza, ku po strehoheshin njerëz të zhvendosur, u vranë 15 njerëz.
Pesë njerëz u vranë rrugëve që çojnë te qendrat e shpërndarjes së ndihmave nga Fondacioni Humanitar i Gazës, organizatë amerikane e mbështetur nga Izraeli për ta ushqyer popullsinë e Gazës. 40 njerëz të tjerë u vranë përderisa po i prisnin kamionët me ndihma të OKB-së në disa zona në Gaza, sipas zyrtarëve të spitaleve.
Dëshmitarët kanë thënë se trupat izraelit rregullisht qëllojnë me armë në drejtim të turmave të palestinezëve që mundohen të arrijnë në qendrat e shpërndarjes së ndihmave të Fondacionit Humanitar të Gazës.
Më shumë se 500 palestinezë janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur që nga hapja e pikave të shpërndarjes së ndihmave në maj./Nacionale