OVL e UÇK i çon mesazh Kurtit për krizën dhe sulmet që ia bëri Thaçit e Veselit: Turp, s’do të heshtim

47

Pak para nisjes së seancës konstituive, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ndaj bllokadës në Kuvend dhe deklaratave të kryeministrit në dorëheqje, Albin Kurti, për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Sipas Kurtit, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, vazhdojnë të japin direktiva për zhvillimet politike në Kosovë përmes vizitave që zyrtarët e PDK-së zhvillojnë atje.

Për këtë deklaratë, OVL e UÇK-së tha se s’do të heshtin, ndërsa Kurtin e akuzoi për “tradhti morale”.

“Dënojmë ashpër deklaratën e fundit të ish-Kryeministrit Albin Kurti, i cili në mënyrë të turpshme dhe të papërgjegjshme ka sulmuar publikisht ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, duke pretenduar se ata po japin “instruksione politike nga burgu”. Ky qëndrim është jo vetëm i neveritshëm politikisht, por edhe i rrezikshëm në aspektin ligjor dhe moral. Albin Kurti, në vend që të mbrojë qytetarët e vendit të vet nga padrejtësitë ndërkombëtare, zgjodhi t’u bashkohet akuzave që fabrikohen kundër luftës tonë të shenjtë për liri. Kjo është një tradhti morale ndaj të kaluarës dhe të ardhmes së Kosovës”, thuhet në reagimin e organizatës.

“OVL UÇK nuk do të heshtë përballë këtyre zhvillimeve të rrezikshme. Ne do të qëndrojmë fuqishëm në mbrojtje të vlerave të luftës, të drejtës së popullit tonë për liri dhe dinjitet, dhe të çdo luftëtari që sot padrejtësisht mbahet larg vendit për të mbajtur gjallë skenarë të turpshëm politikë”.

Po ashtu, OVL tha se denoncojnë institucionale të krijuar nga një bllokadë politike “e pajustifikueshme dhe arrogante”.

“Është e papranueshme që në kohën kur qytetarët e Kosovës përballen me pasiguri, varfëri dhe kërcënime të jashtme, partitë politike, e posaçërisht partia fituese, të luajnë me fatin e shtetit vetëm për interesa të pushtetit. Kjo sjellje është turpëruese dhe e dëmshme për demokracinë. Luftëtarët e UÇK-së nuk dhanë gjakun për një Kosovë të bllokuar, as për politikë të verbër e destruktive”.

OVL e UÇK-së tha se këto dy “çështje madhore që po e dëmtojnë rendin demokratik, unitetin shtetëror dhe dinjitetin e luftës sonë çlirimtare” i trajtoi “me shqetësim të thellë” më 4 korrik 2025, në mbledhjen e saj të rregullt.

Comments