Foli në gjuhën angleze: Çka tha kërcënuesi për bombën në Kuvend?

122

Objekti i Kuvendit të Kosovës është rrethuar me forca të shumta të policisë, pas një kërcënimi për alarm pëer bombë që dyshohet të ketë ardhur pak para vazhdimit të seancës konstituive.

Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Arben Loshi ka thënë se sipas njoftimit që kanë marrë deri më tani, është kërkuar evakuimi pasi personi i dyshuar foli në gjuhën angleze dhe u tha se “një bombë ndodhet në ndërtesë të Kuvendit dhe do të shpërthejë për 10 minutave”.

“Sipas njoftimit, është kërkuar të bëhet evakuimi sepse një person në gjuhën angleze ka thirrur dhe ka thënë që një bombë është vendosur në ndërtesën e Kuvendit dhe e njëjta do të shpërthejë pas 10 minutave” – tha ai, transmeton Nacionale.

Ndërkohë, pas këtyre zhvillimeve, seanca pritet të vazhdojë mbrëmjen e sotme në orën 20:00.

Policia e Kosovës në anën tjetër, ka thënë se kërcënimi ka ardhur në orët e mëngjesit përmes një mesazhi telefonik.

“Sot, me datë 05.07.2025 në orët e paradites, është pranuar një informatë (me sms), për një kërcënim me mjet shpërthyes në objektin shtetëror të RKS-së. Me të pranuar informatën, janë angazhuar njësitë kompetente policore, të cilat fillimisht kanë bërë perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuuar personat nga objektet” – është thënë në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Më tej, policia ka treguar në lidhje me rastin është njoftuar edhe prokuroria.

“Policia e Kosovës ka njoftuar prokurorinë kompetente dhe hetuesit policorë të cilët së bashku me njësitë dhe ekspertët përkatës për deminim, janë duke marrë veprimet e duhura të kontrollit në objekt” – thuhet në fund.

Comments