Një “magjistar” nga Shkupi është burgosur për mashtrimin e një çifti nga Berova me 400,000 euro

103

Më 3 korrik 2025, B.D. (76) nga Berova ka paraqitur në SPB Shtip një kallëzim penal për veprën penale – “Mashtrim” sipas nenit 247, paragrafi 4 i Kodit Penal të RMV-së, kundër personit D.I. (54) nga fshati Trubarevë, rajoni i Shkupit.

Sipas kallëzuesit, në periudhën nga viti 2022 deri në vitin 2025, i dyshuari me qëllim që të përfitojë pasuri në mënyrë të kundërligjshme, përmes paraqitjes së rreme të fakteve, e ka futur dhe e ka mbajtur në mashtrim atë dhe bashkëshorten e tij M.D., duke u paraqitur si person me aftësi të veçanta paranormale – një “hoxhë” ose “njeri i Zotit”, që mund të largojë magji të zezë që, sipas tij, u ishte bërë djalit të tyre dhe rrezikonte jetën dhe shëndetin e tij.

Gjatë kësaj periudhe trevjeçare, i dyshuari i ka bindur viktimat në disa raste dhe lokacione të ndryshme në Shkup dhe Berovë që t’i japin shuma nga 5.000 deri në 6.000 euro si “kompensim për ndihmën”, duke përfituar gjithsej 400.000 euro.

Pas marrjes së kallëzimit, policia nga SPB Shtip në bashkëpunim me SPB Shkup, OVR Berovë dhe Departamenti për Krim të Organizuar, sipas udhëzimeve të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Kumanovë, ka ndërmarrë masa për zbardhjen e rastit. Paratë që viktima kishte planifikuar t’ia dorëzonte të dyshuarit janë trajtuar me procedura kriminalistike.

Më 4 korrik në Berovë janë arrestuar i dyshuari D.I. dhe nëna e tij D.I. (76) nga Trubareva. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tyre janë gjetur 3.000 euro si dhe objekte të tjera të ndërlidhura me veprën penale të “mashtrimit”.

Pas përfundimit të veprimeve hetimore, ndaj të dyshuarve është ngritur kallëzim penal për veprën penale të vazhduar të “mashtrimit” dhe janë dërguar përpara gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Koçanit.

Comments