Autokolona me ndihma nisen nga Egjipti drejt Gazës, pas nisjes së hedhjeve ajrore izraelite

99

Kamionë me ndihma humanitare kanë nisur të lëvizin nga Egjipti drejt Gazës këtë të diel. Ky zhvillim vjen pas muajsh presioni ndërkombëtar dhe paralajmërimesh të forta nga agjencitë humanitare për përhapjen e urisë masive në enklavën palestineze.

Autoritetet izraelite konfirmuan të shtunën se kanë nisur hedhjet ajrore të ndihmave për Gazën, ndërsa janë marrë edhe disa hapa të tjerë për të lehtësuar krizën humanitare në territorin e rrethuar.

Sipas ushtrisë izraelite (IDF), do të krijohen “korridore humanitare” për të mundësuar kalimin e sigurt të autokolonave të Kombeve të Bashkuara që shpërndajnë ndihma për popullsinë civile. Po ashtu, do të aplikohen “pauza humanitare” në zonat më të populluara të Gazës.

Dhjetëra kamionë me ton ndihma humanitare janë drejtuar këtë mëngjes drejt pikës kufitare Karam Abu Salem në jug të Gazës.

Organizatat ndërkombëtare të ndihmës pohojnë se uria masive është një realitet për 2.2 milionë banorët e Gazës, pasi Izraeli ndërpreu të gjitha furnizimet në mars, duke i rikthyer ato në maj, por me kufizime të forta.

Izraeli, nga ana tjetër, pretendon se ka lejuar mjaftueshëm ndihma në territor dhe akuzon OKB-në për dështim në shpërndarjen e tyre. Kombet e Bashkuara i kanë cilësuar këto akuza si të pabazuara, duke theksuar se operojnë në kushte tejet të vështira për shkak të kufizimeve të vendosura nga Izraeli.

Comments