Boshnjakët e Gucisë heqin shqiponjën nga gurëvarri i Jakup Ferrit
Më 2019, pjesëtarë të familjes Ferri kishin vënë simbolin kombëtar të shqiponjes dykrenare në pllakën e varrit të Heroit të Kombit, Jakup Ferri. Por, linja ‘boshnjake’ e familjes në Guci, me mbiemrin Feroviq, e ka rikthyer gurëvarrin siç ishte më herët: me gjysmëhënë turke dhe pa shqiponjën dykrenare.
Col MEHMETI
5 gusht 2025 – Një pjesë e banorëve të Gucisë nuk po ndihen rehat me njërën nga figurat historike të qytezës.
Pllaka e mermertë e varrit të Jakup Ferrit (1832-1880) është rikthyer në gjendjen e mëparshme me simbolin e gjysmëhënës turke.
Me ndjesi zhgënjimi e tronditje janë ndarë plot bashkëatdhetarë që morën pjesë në manifestimin e mbajtur më 1 gusht në Vuthaj, ku performuan shoqëri kulturore nga Kosova, Shqipëria e mërgata.
Gjatë vizitës së bërë tek varrezat e Gucisë, ata vunë re se nga rrasa e mermertë te varri i Jakup Ferrit ishte hequr shqiponja dykrerëshe.
Më 2019, pasardhës të familjes Ferri nga Kosova e Shqipëria e kishin vendosur simbolin e shqiponjës dykrenare duke e mbuluar gjysmëhënën, e cila kishte zgjuar reagime të shumta.
Por, një pjesë e linjës ‘boshnjake’ të familjes në Guci, që në letërnjoftim e dokumente mban mbiemrin Feroviq, nuk e kishte pranuar aspak veprimin e kushërinjëve të tyre shqiptarë.
Gazeta NACIONALE është përpjekur të marrë një deklarim nga anëtarë të familjes Ferri në Kosovë, por ata nuk janë përgjigjur gjatë ditës.
Ferrajt kundër Feroviqve – Feroviqët kundër Ferrajve
Heqja e shqiponjës dykrenare dhe rikthimi i simbolikës fetare paraqet një përplasje të vjetër që e tejkalon një rrasë të mermertë mbivarrore.
Ajo është komentuar edhe si luftë kulturore në miniaturë si pasojë e boshnjakizimit shumëvjeçar të popullatës në Guci.
Qysh më 2019, shqiponja dykrenare në rrasën e mermertë të Jakup Ferrit ishte përballur me reagime nga disa media lokale në gjuhën boshnjake.
Sipas tyre, “Jakup Feroviq është i varrosur në varrezat boshnjake në Plavë dhe është i afërm i Shaboviqëve. Të gjithë pasardhësit e tij deklarohen si boshnjakë”.
Shqiptarofobia në Guci: “Po na ktheni në katolikë”
Po këto media nuk e kishin kapërdirë zëvendësimin e simbolit ‘islamik’ të gjysmëhënës me shqiponjën dykrenare si simbol kombëtar shqiptar.
Madje, asokohe nuk kishin munguar as teori me grimasa konspirative për veprimin e bërë nga pjesëtarë të familjes Ferri nga Kosova – atë e kishin lidhur me një përpjekje për gjoja rikthim në katolicizëm.
“Qëllimi i idesë dhe simbolit të përveçëm kombëtar të shqiptarëve është të rikthehen sa më shumë që është e mundur në fenë burimore, që është katolicizmi”, paralajmëronte një mediumth boshnjak.
Kaq kishte mjaftuar që plot lexues boshnjakë të rekrutoheshin në revolta online kundër shqiptarëve.
“Ko vam je dao za pravo da postavite orla na Bošnjačkom Groblju?” (Kush iu dha të drejtën të vini shqiponjë në varreza boshnjake?), kishte pyetur me tone revolte një banor lokal.
Familja Ferri – një histori me rrënjë Malësie
Derisa mediume e faqe lokale në gjuhën boshnjake i referohen heroit që bëri emër në luftërat kundër Malit të Zi si Jakup Ferović, të dhënat historike të kohës japin një tablo krejt tjetër.
Me lozë të kryehershme nga fisi i Kuçit, familja Ferri mbahet si e ardhur nga Luhari i Malësisë së Shkodrës.
Kryepari i familjes, Gjergj Prentashi me një vëlla ishin vendosur fillimisht në Podgoricë, e pataj në Plavë ku u konvertuan në fenë myslimane.
Megjithëse ishte një nga figurat më të spikatura të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, deri më sot për Jakup Ferrin është shkruar vetëm një studim monografik nga Xheladin Gosturani.
Në jetëshkrimin “Jakup Ferri dhe Lufta për Mbrojtjen e Plavës e të Gucisë”, botuar më 1984, ai jep disa të dhëna me vlerë mbi prejardhjen e Jakup Ferrit dhe familjes së tij.
“Jakup Ferri, bir i Fer Durit, ka lindur në vitin 1832, në qytetin e Plavës. Ishte djali i dytë, pas Zeqës. Më vonë i linden edhe dy vëllezër të tjerë: Shaqiri dhe Beqiri, por me një nënë tjetër”.
Mbiemri Ferri, të paktën sipas një gojëdhëne që qarkullonte në Guci, kishte mbetur kur bajraktari i Kelmendit një ditë e kishte parë Ferin tek rrahte me këmbë të zbathura një gardh me ferra. Ky llagëp i mbeti nga fjala ,,ferrë’’.
Një familje e lidhur me Kosovën
Në moshën 25-vjeçare Jakup Ferri ra në dashuri me kushërirën e Ali pashë Gucisë, vajza e bukur Pembe Hanuma, e cila u bë bashkëshortja dhe bashkëluftëtarja e tij e ngushtë.
Ai e mori dorën e Pembes pa pëlqimin e prindërve të saj që vinin nga një derë e madhe, kurse Jakupi i Ferrajve nuk mbante as titull pashe, beu, agai, vojvodi apo bajraktari.
Nga martesa e tyre doli një karavan me fëmijë, pesë djem e tri vajza: Kusha, Hasani, Mehmeti, Ymeri, Gjuza, Bardhoka, Agani dhe Emini.
Pjesë nga libri i Xhafer Belegut “Lidhja e Prizrenit dhe veprimet e saj: 1878-1881”, botuar më 1939. Pjesët e nënvizuara flasin për atë se si e ndjente veten Jakup Ferri.
Shtëpia e Jakup Ferrit ishte vend i kuvendeve të burrave që mblidheshin jo vetëm nga Plava e Gucia po edhe nga Kosova.
Shqiptarët atëbotë kishin filluar të vetëorganizoheshin, veçmas pas përvojave të tyre gjithnjë e më të rënda nën Serbinë e Malin e Zi që kishin filluar zgjerimin drejt Shqipërisë.
Në këtë kohë Jakup Ferri u njoh dhe u miqësua me Sulejman Vokshin, Haxhi Zekën, Ali Ibër Nezën, dhe me shumë prijës, kapedanë e krerë të tjerë kryengritës shqiptarë.
Familja e Ferrajve, edhe pas vrasjes së Jakupit, do të spikaste në organizimet kombëtare dhe rezistencën kundër serbëve. I tillë ishte edhe i biri i Jakupit, Hasan Ferri, që bëri emër në kohën e kryengritjeve të mëdha antiosmane në Kosovë, si dhe më vonë kundër okupimit serb.
Me petka e plisa të bardhë: Hasan Ferri me vëllezërit e tij në stacionin e trenit në Shkup. Fotografi e botuar tek javorja franceze ‘L’Illustration’.
Jakup Ferri, shqiptari që luftoi kundër Malit të Zi
Jakup Ferri u shqua në lëvizjen e përgjithshme lokale që iu kundërvu vendimeve të Kongresit të Berlinit, sipas të cilave Plava e Gucia duhej t’i kalonin Malit të Zi.
Me 4 dhjetor 1879, kryekomandanti i Malit të Zi Mark Milani sulmoi në befasi fshatrat Sekiricë, Arxhanicë, Pepaj e Visitor, dhe pas marrjes së Velikës, forcat malazeze mësynë drejt Nokshiqit.
Duke e pasur besimin e popullatës lokale, Jakup Ferri udhëhoqi luftën mbrojtëse.
Ai fillimisht bëri një sprapsje taktike nga pozicionet që i mbanin forcat shqiptare.
Kaq mjaftoi që ushtria malazeze të vihej në lajthim, dhe kundërsulmi i luftëtarëve shqiptarë nga disa drejtime ta rrethonte në të gjitha anët.
Forcave të Jakup Ferrit iu kishin ardhur në ndihmë edhe vullnetarë nga Rrafshi i Dukagjinit, ashtu sikurse edhe nga Gashi e Krasniqja nën prijën e Ali Ibrës dhe Man Avdisë.
Duke qenë malazezët të rrethuar, beteja nga armët e zjarrit kaloi në përleshje me jatagana e me mjete rrethanore.
Megjithëse forcat malazeze me humbje të mëdha e çanë rrethimin nga Sekirica, ato ranë në pritat e zëna nga luftëtarët shqiptarë.
Diplomati francez: Katolikë e myslimanë u gëzuan
Fitorja e forcave shqiptare bëri përshtypje të thellë sa edhe një diplomat francez në Shkodër, në njoftimin që i nisi Parisit më 13 dhjetor 1879, shkroi se “në këtë betejë u vranë 700 malazezë ndërsa 74 koka dhe katër flamurë u çuan me triumf në Guci”.
Sipas diplomatit francez, “ky lajm shkaktoi një përshtypje të madhe në Shkodër si ndër katolikët ashtu edhe ndër myslimanët, dhe të gjithë gëzohen për suksesin e arritur kundër trupave malazeze. Ata shpresojnë që mbrojtësit e Gucisë dhe të Plavës do të hidhen së afërmi në luftime të reja dhe do të kenë mundësi të përparojnë deri në Podgoricë e ta rimarrin këtë qytet”.
Kryengritësi që theu ushtrinë malazeze
Sidoqoftë, Cetina nuk hoqi dorë nga agresioni dhe pak javë më vonë, në fillim të janarit 1880, Bllazho Petroviqi, shef i shtabit madhor të ushtrisë malazeze, organizoi një ushtri të rregullt prej 12 mijë vetash.
Ato ditë, Cetina i nisi një letër Ali Pashë Gucisë, njërit prej prijësve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku i kërkohej të hiqte dorë nga qëndresa:
“Për hir të gospodarit Nikolla Petroviqit, me vullnetin e popullit, knjazi i Malit të Zi, ushtria e lartëmadhërisë së tij, do të marshojë për ta okupuar krahinën e Plavës e të Gucisë, me vendim të vetë Kongresit të Berlinit. Edhe sulltan Abdyl Hamiti i është shtruar atij vendimi. Për këtë, o Ali beg, s’ke arsye ta kundërshtosh dhe nuk do të bëjë dobi Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Mos e torturo popullin e mos e fut në zjarr e në flakë krahinën. Anulo çdo veprim që ke marrë, ktheji njerëzit e ardhur prej Rrafshit të Dukagjinit e prej Gashit e Krasniqes”.
Por, shtabet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e hodhën poshtë njëzëri këtë kërcënim.
Më 6 janar, forcat malazeze nisën sulmin drejt Plavës, porse krahu i djathtë i lumit Lim mbahej fort nga forcat vullnetare të Plavës, Gashit, Junikut, Batushës e të Vokshit që udhëhiqeshin prej Jakup Ferrit.
Sektori tjetër, mbi fshatin Nokshiq, mbrohej prej vullnetarësh nga Rugova e Podguri nën prijën e Çelë Shabanit dhe Zhujë Selmanit.
Janar 1880: Lufta ku u përdorën edhe shpatat
Megjithë epërsinë në artileri, forcat malazeze nuk bënë dot asnjë përparim. Ditën e tretë, Jakup Ferri urdhëroi që forcat shqiptare të lëshonin pozicionet e tyre nga Qafa e Previsë e Visitori deri në Papajë.
Kjo taktikë sërish i futi në grackë forcat malazeze të cilat pa menduar zbritën në viset fushore të bregut të Limit.
Edhe kësaj radhe malazezët përfunduan në rrethim të plotë në fushë të Nokshiqit.
Siç e përshkruajnë kronikat e kohës, përleshja u bë aq e rreptë sa të dyja palët mësynë fizikisht kundër njëra-tjetrës. Pati raste kur dhjetëra shqiptarë, meqë nuk patën armë zjarri, luftuan me sakica e thika.
Në betejën e fundit më 11 janar 1880, forcat shqiptare ishin vënë në ndjekje të malazezëve të thyer. Mu këtu, në breg të Limit, Jakup Ferri mbeti i vrarë.
Për vëzhguesit e huaj, shqiptarët kishin shënuar fitore vëndimtare në përballjet e dhjetorit dhe janarit.
“Të dyja ndeshjet”, shkroi konsulli austro-hungarez në Cetinë, “kanë qenë të disfavorshme për malazeztë”.
Gucia – gjeografi dhe njerëz
Qyteza e Gucisë është bërë komunë në vete më 2014, duke u shkëputur nga komuna e Plavës tek e cila kishte qenë pjesë që nga viti 1953.
Me një sipërfaqe prej 157 kilometrash katrorë dhe 8 fshatra, komuna e Gucisë mbizotërohet nga gjeografia malore.
Qyteza e Gucisë gjendet pak më në veri të vendit ku bashkohen lumenjtë Bistricë e Vrunjë.
Krahina si e tërë ndodhet midis Kuçit, Kelmendit, Bihorit dhe Kolashinit.
Sipas regjistrimit të vitit 2023, komuna e Gucisë ka 3,933 banorë.
Prej tyre 1,995 ose 50.72 për qind u deklaruan si boshnjakë, kurse si shqiptarë 1,343 ose 34,15 për qind.
Pjesa e mbetur e banorëve u deklaruan si malazezë (395 ose 10.4 për qind) dhe serbë (123 ose 3.13 për qind).
Gucia me fshatrat e saj konsiderohet si një ndër krahinat më të shpopulluara në Mal të Zi, ku vetëm më 2012 u vlerësua se 18,400 njerëz me prejardhje nga atje jetonin në Perëndim, kryesisht në Shtetet e Bashkuara.
Gucia më 1675: “Qytet i gjallë shqiptar”
Por si ndodhi që më 2023, 65 për qind e popullatës në këtë komunë deklarohej si folëse e gjuhëve sllave (kryesisht boshnjakisht e serbisht)?
Qysh më 1675, udhëpërshkruesi osman Evlija Çelebiu e kishte përshkruar Gucinë si “qytet i gjallë shqiptar”.
Gjendje e tillë kishte mbetur edhe në shekujt pasues.
Në vitet pesëdhjetë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, një studiues i huaj shënonte se qyteti i Gucisë kishte 4,000 banorë, shumica myslimanë.
Sipas tij, në këtë qytet banonin edhe 50 familje ortodokse që kishin ardhur aty, në një mëhallë të veçuar.
Banorët e Gucisë dhe fshatrave përreth ishin që të gjithë shqiptarë për nga gjuha, zakonet e traditat.
Ky fakt vihej në dukje edhe nga vëzhguesit e huaj diplomatikë.
Kështu, kryekonsulli austro-hungarez në Shkodër, Lippih, theksonte se “shqiptarët e kësaj treve flasin shqip dhe pjesa më e madhe e tyre, nga origjina, janë kelmendas. Ky fis shkon deri në Rugovë të Pejës” (Raport nga Shkodra dërguar Ministrisë së Jashtme në Vjenë, 12 mars 1880).
Edhe studiuesi francez Ami Boué, që udhëtoi në këmbë në këto vende në vitet 30 të shekullit të 19-të, nënvizonte se Plava e Gucia janë thjesht shqiptare.
Kah pollën ‘boshnjakët’ midis Plave e Gucie?
Boshnjakizimi i popullatës shqiptare në Guci mori hov vetëm në vitet ’70 të shekullit të kaluar.
Meqenëse lidhjet me Kosovën pengoheshin nga shumë faktorë, Kushtetuta e amandamentuar jugosllave e 1974-s solli për herë të parë njohjen zyrtare të kategorisë “myslimanë sipas kombësisë” (Muslimani u smislu narodnosti).
Kjo kategori që hyri në përdorim zyrtar, përfshirë edhe si opsion në regjistrim, preku edhe një pjesë të popullatës shqiptare në Mal të Zi e cila pjesërisht ishte dygjuhëshe në vende si Gucia, Plava e Rozhaja.
Ajo u zëvendësua me termin ‘boshnjak’ në fillimvitet ’90 atëherë kur elitat politike në Sarajevë u përpoqën ta zëvendësonin termin ‘muslimani’.
Gjysmëhëna me yll – simbol islamik apo turkik?
Domethënia simbolike e gjysmëhënës me yll (ose diell) është tejet e debatuar.
Megjithëse shpesh thuhet se është simbol islamik, një pjesë e madhe e teologëve e hedhin poshtë një gjë të tillë për shkak të natyrës paraislamike (pagane) të simbolit.
Përgjithësisht, pranohet se ylli dhe gjysmëhëna u përshtatën si simbole shtetërore osmane gjatë sundimit të sulltanit Mustafa III (1757-1774).
Një bujurdi (dekret) e vitit 1793 theksonte se ky simbol duhej të përdorej në flamurin e flotës si dhe në dokumente të tjera shtetërore.
Pas reformave të Tanzimatit, edhe flamuri i Perandorisë Osmane u dizajnua sipas modelit të ushtrive evropiane, ku fillimisht flamuri i flotës u bë me sfond të kuq.
Po ky flamur do të bëhej modeli që u përbrendësua si flamur zyrtar i Republikës Turke më 1923.
Simboli osman më pas do të përshtatej edhe në flamuj të tjerë si ai i Tunisisë, Libisë e Algjerisë.
Atë e mbajnë edhe shtete turkike si Uzbekistani, Turkmenistani, Azervajxhani, ashtu sikurse edhe shtete islamike si Pakistani, Malajzia, etj. /Nacionale/