Maqedonët kërkojnë ‘kokën’ e Aliut të frymëzuar nga një parti në Prishtinë

499
fresco

Hakmarrja maqedone ndaj komandantit të UÇK-së në Maqedoni, Ali Ahmeti, duket se më së shumti po merr ‘lëndë të parë’ nga Prishtina, dhe atë nga partia në pushtet. Prania në mitingun e djeshëm e atij që më 2001 ‘nom de guerre’ e kishte Abaz Gjuka, ka zgjuar smirë andej e këndej kufirit, edhe në Shkup midis maqedonësh, edhe në Prishtinë midis kosovarësh. Nga dje, disa media maqedone kanë marrë zemër sa të bëjnë thirrje që ish-kreu i UÇK-së të akuzohet për disa raste të vitit 2001. Bile ato kanë cituar edhe njerëz të afërt me pushtetin e Albin Kurtit se gjoja Ahmeti mund të jetë në bankat e të akuzuarve në Hagë. Urrejtja kundër udhëheqësit të njohur politik e ushtarak nga Maqedonia e ka vetëm një adresë: Albin Kurti. Pse vallë kjo? Sa kohë ishte kryesues i OSBE-së, Bujar Osmani, gjithnjë me direktivat e Ali Ahmetit, u bë mbrojtës i Kosovës, madje kur kjo i kishte punët pisk prej sanksioneve ndërkombëtare. Me plot mosmirënjohje e toksicitet, Kurti vendosi që t’i shqelmonte këto të mira e të rreshtohej me VMRO-DPMNE-në e Mickoskit dhe minionëve të tij shqiptarë.

Col MEHMETI

8 gusht 2025 – Mediat maqedone e kanë parë me sy të shtrembër praninë e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, në tubimin e së enjtes në Prishtinë në mbështetje të krerëve të UÇK-së.

Me popullaritetin gjithnjë e në rritje, veçmas në Kosovë, Ali Ahmeti është bërë sërish cak i disa mediave maqedone që duan ta shohin në Hagë e të mënjanuar nga politika.

Portali ‘Expres.mk’ – që në stafin e vet redaksional ka Dimitar Çulevin, Robert Dimitrievskin, Sveto Toevskin dhe Goran Momiroskin – i ka kushtuar një shkrim kundërthënës pjesëmarrjes së Ahmetit në tubimin në Prishtinë.

Ky artikull pa emra autorësh ka marrë si vegëz kërkesën e zëruar nga kreu i BDI-së që të rishqyrtohet Rezoluta e Këshillit Evropian për gjoja trafikim të organeve njerëzore.

“Kërkojmë që përfaqësuesit e Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që janë në Këshill të Evropës, të kërkojnë rishikimin e Rezolutës së Këshillit Evropian të vitit 2011, sepse deri më tash është vëretuar nga shumë drejtime se kurrë nuk ka ndodhur trafikim i organeve njerëzore nga UÇK-ja, mbi të cilën të pavërtetë është krijuar me të padrejtë Gjykata Speciale”, ka thënë dje Ahmeti.

Avokati Tomë Gashi: Nuk shpëton nga Haga nëse je në Maqedoni

Mbi sfondin e kësaj deklarate, portali maqedon ka nisur sulmin e vet mbi Ahmetin se gjoja ai ka frikë prej riaktivizimit të “rasteve të Hagës” nga gjyqësori në Maqedoni.

Artikulli, me këtë rast, ka shfrytëzuar një deklarim të avokatit Tomë Gashi për gazetën maqedone ‘Sloboden Peçat’, dhënë më 17 nëntor 2020, ku kishte aluduar se edhe udhëheqësi i luftës çlirimtare në Maqedoni mund ta gjente veten në bankën e të akuzuarve në Hagë.

“Aktakuza mund të presim ndaj secilit që e ka emrin në raportin e Dick Martyt. Mirëpo Prokuroria në Hagë tanimë ka kaluar jashtë kompetencave të saj që janë dhënë me Ligjin për Gjykatën Speciale. Themi se për secilin pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilin ka fakte, fillimisht që është shqiptar, pjesëtar i UÇK-së apo është shtetas i Republikës së Kosovës, mund të ngritet aktakuzë. Nuk do të thotë se dikush ka imunitet ndaj ngritjes së aktakuzave nëse jeton diku tjetër”, kishte thënë asokohe avokati Gashi në një bashkëbisedim me gazetaren Ilinka Iljoska.

Maqedonët sulmojnë Ligjin e Amnistisë

Sidoqoftë, autorët e artikullit të ‘Expres.mk’ e kanë rikthyer me gëzim vëmendjen te një letër që Komisionerja për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviq i kishte nisur më 17 janar 2024 ish-kryeministrit të Maqedonisë.

Në atë letër, ajo kishte thënë se duhej të shfuqizohej Ligji i Amnistisë për rastet e Hagës.

Sipas mediave maqedone, letra e Mijatoviqit kërkonte nga qeveria maqedone dhe sistemi gjyqësor që të riaktivizonte katër raste të vitit 2001 nga Haga: “Punëtorët e Mavrovës”, “Udhëheqja e UÇK-së”, “E pafalshmja” dhe “Diga e Likovës”.

Kaq kishte mjaftuar që asokohe edhe mediume të tjera maqedone, si rasti i Nova Makedonija, të dilnin me pohimin se këto raste nuk ishin vjetëruar e as nuk duheshin amnistuar. Kërkesa e tyre ishte që ato të veçoheshin e të përjashtoheshin nga Ligji i Amnistisë.

Ky medium, duke cituar ish-ministrin maqedon të Drejtësisë Mihajlo Manevski, kishte zbardhur se ai kishte pasur që prej vitit 2007 takime me prokuroren Carla Del Ponte, Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës Perry Davis, kreun e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut Jean-Paul de Costa, komisionerin për të Drejtat e Njeruiut në Këshillin e Evropës Thomas Hamamberger e zyrtarë të tjerë.

Sipas Manevskit, “asnjëri prej tyre nuk kërkoi që këto raste të mbyllen”.

Specialja i inkurajon maqedonët për një Hagë të re

Ndërkaq, artikulli i ‘Expres.mk’ vijon më tej duke paushalluar se pjesëmarrja e Ahmetit në Prishtinë është sa për të shmangur përgjegjësinë e tij si komandant suprem për rastet e Hagës, në rast të riaktivizimit të tyre nga gjyqësia maqedone.

“Ahmeti po ‘rebelohet’ kundër rezolutës së Këshillit të Evropës, në bazë të së cilës krerët e UÇK-së së Kosovës po gjykohen, por Këshlli i Evropës po kërkon që shteti maqedon dhe gjyqësori i tij ta gjykojnë Ahmetin për ‘krime lufte të kryera nga UÇK-ja më 2001’”, përfundon artikulli i autorëve pa emër në portalin maqedonas. /Nacionale/

Comments