Figura të njohura e diplomatë: Më 15 shtator fillojnë dëshmitarët e mbrojtjes së Thaçit në Hagë

119
fresco

Figura të njohura, personalitete e diplomatë të fuqishëm, pritet ta kenë Hagën adresë javëve në vazhdim.

Kjo pasi ata do të jenë dëshmitarë të ekipit mbrojtës të Thaçit, në rastin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Një fakt i tillë u konfirmua në konferencën e sotme për përgatitjen e çështjes në Hagë, raporton Nacionale.

Avokati i Hashim Thaçit, Pierre Prosper, bëri të ditur se përveç dëshmitarëve në sallën e gjykimit, disa dëshmi do të jenë me shkrim. Kjo pasi ish-sekretarja amerikane Albright e diplomati Holbrooke, kanë vdekur.

“Kemi pasur komunikim të vazhdueshëm kanë thënë se po e trajtojnë kërkesën. Janë shumë të informuar, mirë të informuara, sa i takon procesverbaleve, disa sqarime, dhe çështjes së këtyre dëshmitarëve. Pra sikurse mund ta vëreni ne kemi listë të gjërë dëshmitarësh, pra unë nuk mund të them këta emra në publik, megjithatë, bëhet fjalë për persona shumë të njohur, si sekretarja Albright, Richard Hoolbroke, senatori Doll etj. Informacioni që kemi është shfajësues, dhe është shumë e rëndësishme për ta vënë në kontekst, është informacion shfajësues, dhe kemi të bëjmë me informacion drejtpërdrejt me lëndën e Prokurorisë. Informacioni shfajësues merr peshë të madhe, sa është gjyqtari që ka detyrën të hetojë lidhur me këtë informacion shfajësues. Një letër që e kam marrë nga qeveria e Amerikës: në fund thuhet nuk parashikojmë kohën sa i takon këtyre vendimeve, ne po punojmë me maksimumin e shpejtësisë së mundshme”, tha Prosper.

Avokati tjetër i Hashim Thaçit, Luka Misetiq, bëri të ditur se synojnë që të përfundojnë me dëshmitarët dhe provat, më së largu në fundin e nëntorit. Megjithatë, kjo varet edhe nga koordinimi i kohës për dëshmitarët, shkaku i agjendave të tyre. Sipas tij, mbrojtjes mund t’i duhen 35 orë për ta përfunduar rastin.

“Kemi katër dëshmitarë për të cilët ende pritet autorizimi, ata janë në bllokun e fundit të dëshmitarëve. Kjo duhet të mbahet parasysh, presim autorizimin sa më shpejt të jetë e mundur. Këta dëshmitarë do të vijnë në tetor. Nuk është e lehtë t’i kemi këtu kur duam ne, apo të vijnë njëri pas tjetrit. Nuk e kemi as luksin që ka ZPS për të përcaktuar kohën e caktuar që na nevojitet për t’i marrë në pyetje. Nuk mund të themi që këtë dëshmitar e kemi me 15 shtator”, tha Misetiq, raporton Nacionale.

Mbrojtja e Thaçit pritet t’i ketë 11 ose 12 dëshmitarë që do të dëshmojnë në sallën e gjykimit, kurse mbrojtja e Jakup Krasniqit dy të tillë. Për disa të tjerë, provat do të pranohen me shkrim.

Si rezultat, paraqitja e provave në rastin kryesor në Hagë, mund të përfundojë më së largu në dhjetor.

Nacionale para disa vitesh kishte raportuar për emrat e diplomatëve që mund të dëshmojnë pro-Thaçit në Hagë, bazuar në dokumente publike në faqen e Speciales.

Steve Bennett – Drejtor i Departamentit të OSBE-së për Arsimim dhe Zhvillim të Policisë, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, 1999-2006.

Emri i një diplomati është i redaktuar

Gjenerali Wesley Clark – Komandant suprem aleat i NATO-s në Evropë dhe komandant i përgjithshëm i Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara nga viti 1997 deri në majin e vitit 2000.

Jock Covey – Zëvendës i Parë i Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) nga viti 1999 deri më 2001.

Michael Durkee – Këshilltar politik i komandantëve supremë aleatë të NATO-s në Evropë (SACEUR) Clark, 1998-1999.

Daan Everts – Shef i Zyrës së OSBE-së në Tiranë, Shqipëri dhe pastaj i Zyrës së OSBE-së në Prishtinë më 1999.

Bernard Kouchner – Përfaqësues i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK), korrik 1999 deri në janar të vitit 2001

William Walker – Shef i Misionit Verifikues të Kosovës të OSBE-së nga 17 tetori 1998 deri në mesin e qershorit 1999

Comments