IDF me raport ‘qesharak’ për vrasjen e gazetarëve: Donim të godisnim ‘kamerën e Hamasit’

139
fresco

Një raport paraprak nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit është publikuar rreth goditjes në spitalin Nasser, ku 20 persona, mes të cilëve pesë gazetarë, mbetën të vrarë.

Sipas këtij raporti, IDF-ja në të vërtetë donte të godiste “një kamera të vendosur në zonë nga Hamasi”.

Kamera, thuhet në raport, “po përdorej për të vëzhguar aktivitetin e trupave të IDF-së”.

“Në dritën e kësaj, trupat vepruan për të larguar kërcënimin, duke goditur dhe çmontuar kamerën dhe hetimi tregoi se trupat vepruan për të larguar kërcënimin”, vazhdon deklarata.

Shtohet po ashtu se shefi i shtabit të përgjithshëm pretendon se gjashtë nga të vrarët “ishin terroristë, njëri prej të cilëve mori pjesë në infiltrimin në territorin izraelit më 7 tetor”.

Deklarata shton se “Shefi i Shtabit të Përgjithshëm shpreh keqardhje për çdo dëm të shkaktuar ndaj civilëve”.

Hetime të mëtejshme do të zhvillohen tani për të “shqyrtuar disa boshllëqe”, vazhdon deklarata, duke përfshirë procesin e autorizimit para sulmit, si dhe “municionin e miratuar për sulmin” dhe procesin e vendimmarrjes në terren.

Mirëpo ky raport, ngjan thjesht si një justifikim pa bazë i asaj çfarë duket qartë në dritën e diellit dhe të faktuar edhe me video të ngjarjes.

Një prej tyre, më e rënda, të cilën Albanian Post e ka parë por nuk mund ta transmetojë për shkak të ndjeshmërisë së pamjeve, tregon civilët, mes të cilëve edhe gazetarët, të cilët po qëndrojnë në një zonë në shkallët e spitalit pas një goditjeje nga Izraeli aty dhe një raketë e dytë godet me precizion pikërisht atë pikë të shkallëve, duke i lënë personat të vrarë.

Reagimet nga e gjithë bota kanë qenë të ashpra kundër Izraelit, duke kërkuar mbi të gjitha llogari për ngjarjen, hetime të pavarura dhe vënien para përgjegjësisë së autorëve.

Teksa, zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu e ka quajtur të gjithën “një aksident tragjik”.

Comments