Haxhiu: Kosova është shtet unitar, jo multietnik – asnjë grup nuk ka të drejtë vetoje

280
fresco

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media, të mërkurën, ka potencuar se Kosova është shtet unitar, e jo shtet multietnik.

“Ky model është rregullatori i Republikës së Kosovës demokratike. Asnjë grup etnik, gjinor apo shoqëror nuk e ka të drejtën e vetos për mbi organet tona që konstituojnë Republikën”, tha ajo.

Pakoja e Ahtisarit, në vlerësimin e Haxhiut, ka dhënë vende të rezervuara komuniteteve joshumicë, e “jo të drejta të vetos për konstituimin e Kuvendit”.

Haxhiu ndërsa ka bërë të ditur se LVV-ja ka dërguar komentet e saja në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës lidhur me ankesën e Listës Serbe për votimin e nënkryetarëve të Kuvendit, njoftoi se kjo parti ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese ta shpallë si të papranueshme kërkesën e Listës Serbe.

Në këtë kontekst Gjykata Kushtetuese, sipas Haxhiut, nuk e ka në kompetencë që të gërmojë në themelet e Kushtetutës, që ta ndryshojë apo shtojë diçka.

“Duhet theksuar se funksionaliteti nuk mund të varet nga një subjekt politik që nuk e njeh shtetin dhe kushtetutën. Ky lloj abuzimi duhet të ndalet në rrugë juridike. Ne kemi kërkuar që kërkesa e Listës Serbe të shpallet e papranueshme, sepse kontrolli kushtetues ushtrohet ndaj aktik. Këtu nuk kemi akt juridik, nuk është prodhuar pasojë”, ka shtuar ajo.

Haxhiu ndër të tjera e ka cilësuar të papranueshme masën e përkohshme që e ka vënë Gjykata Kushtetuese mbi kërkesën e Listës Serbe.

Comments