Ushtronin dhunë dhe i maltretonin të moshuarit – ngritet padi ndaj dy pronareve të shtëpive për pleq në Shkup

88
fresco

Ministria e Punëve të Brendshme ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit kundër N.J. (47) dhe T.I. (58), të dyja nga Shkupi, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale “keqpërdorim i vazhdueshëm i pozitës dhe autorizimit zyrtar” sipas nenit 353 paragrafi 5 në lidhje me paragrafët 4 dhe 1, si dhe “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës” sipas nenit 143 të Kodit Penal.

MPB, në bashkëpunim me Prokurorinë Publike, gjatë dy ditëve të fundit ka siguruar prova që konfirmojnë dyshimin e bazuar se të dyja të dyshuarat, në cilësinë e pronareve dhe përfaqësueseve të dy institucioneve private për kujdesin social të personave të moshuar në Shkup, kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtje Sociale dhe me qëllim për të përfituar pasuri materiale për vete, kanë shkelur rëndë të drejtat e personave të strehuar.

Të dy institucionet, gjatë periudhës nga viti 2022 e deri sot, nuk kanë vepruar në përputhje me lejet e marra – kanë pranuar më shumë persona se sa lejohej, nuk kanë mbajtur evidencë të rregullt për përdoruesit e shërbimeve sociale, nuk kanë pasur dosje me dokumentacion profesional për të gjithë banorët, nuk kanë regjistruar të dhëna për mirëmbajtjen e higjienës personale të tyre, nuk kanë pasur numër të mjaftueshëm të punonjësve profesionalë në turne, kanë punësuar persona pa dokumentacion të rregullt dhe nuk kanë ofruar katër vakte ditore sipas standardeve të përcaktuara nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.

Të gjitha parregullsitë janë konstatuar në procesverbalin e inspektimit të jashtëzakonshëm, ndërsa për shërbime që nuk përmbushnin kushtet ligjore, ato u kishin marrë përdoruesve dhe familjarëve të tyre shuma të konsiderueshme parash. Nga të dy objektet, ato kanë përfituar në total 2.232.000 denarë në muaj.

Gjatë kontrolleve në dy institucionet – njëra në rrugën “Rudo” në Butel dhe tjetra në rrugën “Kozara” në Qendër – është vërtetuar se të dyja të dyshuarat, në cilësinë e personave përgjegjës, kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj të moshuarve me qëllim t’u shkaktojnë dhimbje fizike dhe shpirtërore, duke i ekspozuar ndaj trajtimit mizor, çnjerëzor dhe poshtërues.

Në shtëpinë e Butelit, e para e akuzuar kishte strehuar 27 të moshuar, megjithëse kishte leje vetëm për 21 persona, ndërsa në institucionin në Qendër, së bashku me të dytën, kishin strehuar 33 persona, megjithëse leja ishte për vetëm 17. Nuk kishin siguruar staf profesional të mjaftueshëm për kujdesin e tyre.

Në kundërshtim me të gjitha rregullat, në dhoma kishin vendosur bashkë burrat dhe gratë. Nuk kishte krevate për të gjithë banorët, ndaj disa prej tyre flinin në divane në dhomën e ditës, ndërsa të tjerë ndanin të njëjtin shtrat. Të gjithë banorëve në të dy institucionet u ishin shërbyer ushqime me produkte me afat të skaduar, për të cilat janë marrë mostra nga ushqimi dhe materialet në kontakt me të.

Një pjesë e banorëve ishin mbyllur vazhdimisht në dhoma të veçuara, ndërsa disa prej tyre kishin marrë terapi me barna që nuk ishin përshkruar nga mjeku. Me urdhër të prokurorit publik, të gjithë personat e strehuar iu nënshtruan ekzaminimeve mjekësore dhe analizave nga ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Institucionet janë mbyllur dhe, në koordinim me organet shtetërore kompetente, për të moshuarit është siguruar akomodim i përshtatshëm.

Comments