Osmani mbështet protestën e 17 tetorit në Tiranë: Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dalë në mbështetje të protestës së paralajmëruar për datën 17 tetor në Tiranë, të organizuar nga kategoritë e dala nga lufta.
Në një konferencë për media, Osmani theksoi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe e udhëhequr për liri, raporton Klankosova.tv.
E mbështes këtë protestë, ashtu siç kam mbështetur çdo protestë që është thirrur për drejtësi. Qytetarët e Kosovës dhe më gjerë nuk kanë kërkuar kurrë asgjë tjetër përveç drejtësisë, drejtësisë së vërtetë dhe respektimit të parimeve më të larta të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Drejtësi e cila respekton parimet më të larta të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe, siç e dini, Kosova, më konkretisht ish-krerët që tani përballen në Hagë, pikërisht sepse kanë pasur besim në drejtësi, janë paraqitur para saj”.
“Tash po bëhen 5 vite pa asnjë ndryshim në drejtësinë ndërkombëtare, por ne si institucione të Kosovës vazhdimisht kërkojmë që parimet e mëdha të të drejtave të njeriut të respektohen dhe u japim plotësisht të drejtat e tyre sa herë ata protestojnë në kërkim të këtyre standardeve. Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për liri, për ta mbrojtur popullin tonë dhe çliruar Kosovën nga okupimi që ka zgjatur për shekuj, dhe luftë që ka pasur mbrojtjen e pragut të shtëpisë dhe qytetarëve të pafajshëm që sulmoheshin nga ushtria serbe”, tha Osmani para mediave.