Operacion policor në Zubin Potok e Zveçan,Prokuroria Speciale po kryen bastisje
Prokuroria Speciale e Kosovës, ka njoftuar se është duke zhvilluar një operacion policor në Komunën e Zubin Potokut dhe të Zveçanit.
IndeksOnline ka siguruar pamje nga operacioni qe po zhvillohet nga mëngjesi në pjesën veriore të Kosovës.
Ndëkaq në njoftim thuhet se hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, janë duke e zbatuar një urdhër të gjykatës, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, për të kryer bastisje në nëntë ( 9 ) lokacione, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale:
Rrezikimin e personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me to;
Vrasje të Rëndë;
Sulm ndaj personit zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Operacioni po mbështetet edhe nga njësi të tjera relevante të Policisë së Kosovës.
Prokuroria Speciale bashkë me Policinë e Kosovës është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Publiku do të njoftohet me detaje, pas përfundimit të operacionit.