Edhe një javë kohë- Kurti vështirë të gjejë partnerë koalicioni: A do të formohet qeveria e re?
Të shtunën e javës ë kaluar, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e mandatoi kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për ta formuar qeverinë e re të Kosovës. Ky hap u realizua plot tetë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme që u mbajtën me 9 shkurt të këtij viti. Një gjë e tillë u bë për shkak të krizës së thellë që pa vendi në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Edhe hapi në fjalë, pra mandatimi i Kurtit nga Osmani, u pa me kritika, pasi që i njëjti u bë një ditë para zgjedhjeve lokale, që u mbajtën me 12 tetor, të dielën, shkruan Gazeta Express.
Megjithatë, pavarësisht kësaj, esenca e çështjes këtu mbetet formimi i qeverisë së re.
Për këtë të fundit, LVV-së dhe liderit të saj Kurti, i duhet një koalicion, meqë si e vetme kjo parti s’e ka shumicën e nevojshme.
Por, një koalicion, duket se Kurti e ka vështirë ta arrijë. Kjo duke u bazuar në vetë deklarimet e partive të tjera.
Dje, pikërisht me këtë temë, është deklaruar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri.
“Jo ne nuk do ta votojmë, ashtu siç e dini edhe ju edhe qytetarët e Kosovës. Ne i kemi marrë disa ftesa për me hy në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje që nga fillimi, domethënë kur ka fillu hapat e parë për konstituimin e Kuvendit. Ne të gjitha ato i kemi refuzuar, për arsye që mendojmë që Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është e gatshme të qeverisë me LVV, duke e pasur parasysh që qeverisja e tyre gjatë katër viteve të kaluara, ata kanë keqqeverisur me të gjitha dikasteret, në të gjitha ministritë. Kështu që kësaj radhe ne nuk do të bashkëqeverisim e as nuk do ta votojmë qeverinë e Lëvizjes Vetëvendosje”, deklaroi dje Guri.
Kundër një koalicioni të tillë me VV-në janë deklaruar edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, shkruan Gazeta Express.
Ferat Shala nga kjo parti ka hedhur poshtë një mundësi të tillë. I njëjti në një deklarim dhënë për Front Online ditë më parë ka thënë se, kjo parti as s’ka pasur ide, qëllim e as kurrfarë aktiviteti në lidhje me ndonjë koalicion.
“As nuk ka pasur ide, as qëllim as kurrfarë aktiviteti në lidhje me këtë, qëndrimet e Partisë Demokratike janë të njohura nuk kemi asnjë lloj koalicioni, as nuk planifikojmë me Lëvizjen Vetëvendosje. Nuk besoj që Partia Demokratike, voton një qeveri të Lëvizjes Vetëvendosje e cila e cila ka qenë deri tash në pushtet dhe Kosovës i ka pru izolim ndërkombëtar, sanksione evropiane, skamje dhe varfëri ekonomike dhe shumë dëme tjera që i ka sjell ekonomikisht dhe politikisht Kosovës”, ka thënë ai.
Por, për dallim nga këto dy partitë e lartpërmendura, NISMA ka lënë një mundësi hapur për bashkëpunim me VV-në.
Për këtë është deklaruar deputetja Xhevahire Izmaku. Megjithatë, edhe nga kjo parti kanë vendosur kushte ndaj Kurtit që lidhen me çështjen e pozitës së kryeparlamentarit.
“Nuk ka asnjë diskutim sa i përket qeverisë asgjë. Nuk ka filluar asgjë, ka mbet situata e re. Kemi qenë kundër votimit për kryetar të Kuvendit për zotëri Bashën edhe nuk ka pasë më tutje. Po them, nëse fillohet ka me fillu me karta të reja, ka me fillu gjithçka nga fillimi, edhe konstituimi i Kuvendit, edhe një kryetar tjetër i Kuvendit, apet ulemi në tavolinë dhe diskutojmë për një situatë të re politike. Sigurisht duke e menduar që endi ka nevojë shumë, shumë urgjente në krijimin institucioneve. Në këtë drejtim, Nisma e ka për qellim me ndihmu. Në çdo rrethanë edhe nëse do të ketë një proces tjetër ku do të hynë subjektet tjera në bisedime, ne do ta përkrahim. Nëse do të jemi vetëm ne, atëherë do të vendosim këtë kërkesë sepse vendit I duhet një figurë unike, plotësisht siç është zotëri Limaj që do ta udhëhiqte institucionin më të rëndësishme ligjvënës në vend, siç është Kuvendi. Dhe që sjell unifikim sepse e shohim që se skena politike është e përçarë, dhe për mes pasë procese të madha në interes nacional, ne kemi nevojë me pasë edhe lidership që ka dhe sjellë unifikim”, ka deklaruar për EO deputetja e NISMA-s.
Ndryshe, afati i fundit për prezantimin e kabinetit të ri qeveritar është 26 tetori, të dielën e ardhshme. Lidhur me formimin e institucioneve të reja, ka pasur thirrje edhe nga miqtë e aleatët kryesorë të vendit, të cilët kanë theksuar nevojën që vendi të ketë institucionet sa më parë. /GazetaExpress