Rritja e fshehtë e tarifës fikse “trashi” fitimet e KESCO-s për 4.8 milionë euro në vit

117
fresco

Përkundër faktit se tarifa fikse është një kosto që nuk ka të bëjë me konsumin e energjisë elektrike, ZRRE-ja në rishikimin e tarifave në muajin prill, e miratoi rritjen sipas kërkesës së KESCO-s nga 2 euro në 2.32 euro.

Duke filluar nga muaji prill i këtij viti, KESCO ka filluar të aplikojë për konsumatorët e rrymës në Kosovë tarifë të re për shpenzimet administrative. Ajo që njihet si “tarifa fikse”, është ngritur nga 2 euro në 2.32 euro. Kjo është një “taksë” që KESCO ua ngarkon konsumatorëve në emër të shpenzimeve administrative dhe e cila është e përfshirë në faturat e energjisë elektrike.

Ky ndryshim në faturat e konsumatorëve ka ndodhur në të njëjtën kohë me rritjen prej 16.1 për qind të energjisë elektrike të miratuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në muajin prill të këtij viti, shkruan Buletini Ekonomik.

Image

Tarifa fikse mujore, e njohur edhe si “tarifa fikse e konsumatorit”, është një komponentë e pavarur nga sasia e energjisë së konsumuar dhe ka për qëllim të mbulojë një pjesë të kostove operative dhe administrative të operatorit energjetik. Por, përkundër faktit se fjala është për një kosto që nuk ka të bëjë me konsumin e energjisë elektrike, ZRRE-ja e përfshiu në rishikimin e tarifave të energjisë elektrike në muajin prill.

Image

Nga Zyra për Informim e ZRRE-së kanë shpjeguar se “tarifa fikse” është rritur për të reflektuar, siç thonë ata, “rritjen reale të shërbimit”. Por, nuk kanë sqaruar më tutje nëse kishte një analizë paraprakisht të bazuar që i parapriu këtij ndryshimi në faturat e konsumatorëve.

“Rritja e moderuar e tarifës fikse, ka ndihmuar që të balancohet struktura tarifore pa e rënduar ndjeshëm konsumatorin në bazë të konsumit”, janë përgjigjur shkurt nga ZRRE-ja.

Këtë ndryshim, KESCO e ka reflektuar tashmë edhe në tabelën për tarifat me pakicë për konsumatorët e rregulluar tariforë. Aty, tarifa fikse tash është 2.32 euro, derisa në tabelën e vjetër figuron 2 euro. Ky ndryshim është i dukshëm edhe në faturat e konsumatorëve të energjisë elektrike.

Image

Kjo nuk është hera e parë që kjo tarifë ka pësuar rritje. Edhe në vitin 2023, nga 1.74 euro sa ishte, është ngritur në 2 euro.

Kjo rritje do të vlejë për rreth 700 mijë konsumatorë shtëpiak sa vlerësohet se janë në regjistrat e KESCO-s. Përkthyer në shifra, nga kjo “taksë” – KESCO inkason plot 1.5 milionë euro në muaj apo pak mbi 18 milionë euro në vit.

Nëse kalkulohet vetëm rritja prej 32 centësh, atëherë KESCO do të inkasojë 208 mijë euro në muaj më shumë apo rreth 2.5 milionë euro në vit. Por nëse kalkulimi bëhet në raport me ndryshimet e vitit 2023 – kur tarifa fikse ishte 1.74 euro, atëherë nga kjo KESCO inkason 4.8 milionë euro më shumë për çdo vit.

Image
Comments