Zyrtari amerikan: Nëse Netanyahu prish marrëveshjen për Gazën, Trump do të hakmerret

105
fresco

Një zyrtar i lartë amerikan i ka lëshuar një paralajmërim të ashpër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

Ai ka thënë se nëse Netanyahu lejon që marrëveshja e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit të dështojë, do të përballet me pasoja të rënda nga presidenti amerikan Donald Trump.

Lajmi u raportua të enjten nga transmetuesi izraelit Channel 12.

Duke folur në hebraisht për Channel 12, korrespondenti i Axios, Barak Ravid, tha se zyrtari amerikan e kishte paralajmëruar se Netanyahu po “ecën në fije të perit me presidentin Trump”.

“Nëse ai vazhdon kështu, do të përfundojë duke e prishur marrëveshjen, dhe nëse e prish, Donald Trump do të hakmerret”, shtoi zyrtari.

Zyrtari i tha gjithashtu Ravid se zëvendës presidenti amerikan, JD Vance, ishte tronditur nga zhvillimet në Izrael.

Sipas tij, Vance, i cili përfundoi një vizitë diplomatike në vend më herët të enjten, mbeti i habitur kur dëgjoi se parlamenti izraelit, ose Knesset, kishte dhënë një miratim paraprak të mërkurën për dy projektligje jo-detyruese që lidhen me aneksimin e pjesëve të Bregut Perëndimor.

Duke folur në Aeroportin Ben Gurion të Tel Avivit para nisjes së tij, Vance kritikoi votimin, duke thënë: “Nëse ky ishte një marifet politik, është një budallallëk i madh. Unë personalisht ndihem i ofenduar”.

Një zyrtar izraelit i tha gjithashtu Channel 12 se Netanyahu ishte paralajmëruar disa ditë më parë për reagimet e ashpra që do të pasonin votimin, por nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë.

Parlamenti izraelit miratoi dy projektligjet që lidhen me aneksimin në një lexim paraprak. Të dy draftet duhet të kalojnë tre lexime shtesë për t’u bërë ligj.

Votimi u bë pavarësisht kundërshtimit nga Trump, i cili tha muajin e kaluar se nuk do ta lejonte Izraelin të aneksonte Bregun Perëndimor.

Comments