Nga grafiti UÇK te dënimi me burg: Si ndodhi incideni i tifozëve të Bashkimit në Mal të Zi?

87
fresco

Një incident me tifozët e klubit të basketbollit “Bashkimi” nga Prizreni ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në qytetin Meljine të Malit të Zi, ku policia malazeze ndaloi një autobus me shtetas kosovarë, të cilët po ktheheshin nga Italia pas një udhëtimi me ekipin e tyre.

Klankosova.tv ka raportuar të gjitha zhvillimet e incidentit të mbrëmshëm, që nga momenti i ndalimit të tyre në Mal të Zi e deri te reagimi i fundit i klubit, njofton Klankosova.tv.

Më poshtë mund të gjeni një përmbledhje të rrjedhjes së plotë të ngjarjes:

Sipas mediave malazeze, disa tifozë të grupit “Arpagjikt” kishin ndalur për pushim dhe kishin shkruar një grafit në një objekt me ngjyrë të kuqe, me mbishkrimin “APRZ UÇK 1878”.

Banorë lokalë raportuan rastin në polici, e cila më pas shoqëroi dy persona në stacionin policor të Herceg Novit, transmeton Klankosova.tv.

Njëri prej tyre, 22-vjeçari nga Kosova, Edison Shehu, pranoi se kishte shkruar grafitin dhe u dënua me 10 ditë burgim nga Gjykata për Kundërvajtje të Vogla në Budvë – Departamenti i Herceg Novit.

Përveç dënimit me burg, atij iu shqiptua edhe masa njëvjeçare e dëbimit nga territori i Malit të Zi.

Sipas vendimit të gjykatës, Shehu u shpall fajtor për shkeljen e nenit 18 të Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike, që parasheh dënime për dëmtimin e objekteve përmes shkrimeve apo grafiteve.

Ai pranoi veprën, duke sqaruar se “APRZ” është akronimi i grupit të tifozëve, ndërsa “UÇK” i referohej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përcjell Klankosova.tv

Ndërkohë, policia malazeze njoftoi se grafiti është fshirë nga autoritetet lokale dhe autobusi me tifozët është vendosur nën mbrojtje policore në zonën e Igalos.

Për këtë rast ka reaguar Klubi i Basketbollit “Bashkimi”, i cili e ka cilësuar ndalimin dhe dënimin e tifozëve si të padrejtë, duke kërkuar reagim nga institucionet e Kosovës.

“I bëjmë thirrje organeve përgjegjëse, Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës dhe veçanërisht Ambasadës së Republikës së Kosovës në Mal të Zi, për reagim dhe mbrojtje të tifo-grupit Arpagjik’t si qytetarë të Kosovës, dhe të kujdesen që djemtë tanë të lirohen, të mos mbahen padrejtësisht dhe të vazhdojnë rrugën për Kosovë!”, thuhet në reagimin e klubit prizrenas. /Klankosova.tv

Comments