Kreu i SPAK: 33 zyrtarë të lartë nën hetim gjatë vitit 2024, 19 prej tyre po përballen në gjykatë

87
fresco

Gjatë vitit 2024, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka regjistruar 186 hetime për korrupsion, nga të cilat janë përfunduar 139. Këto shifra tregojnë një ulje të lehtë krahasuar me vitin 2023, kur u regjistruan 214 hetime dhe u përfunduan 150.

Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, evidenton këto shifra, në raportin e punës për 2024 që prezanton sot para deputetëve në seancën plenare maratonë të Kuvendit që ka nisur paradite.

Dumani vlerëson se “pavarësisht rënies së lehtë në numër, niveli i përfundimit të hetimeve dhe ngritja e akuzave mbetet i lartë, çka tregon një menaxhim të mirë të volumit të punës dhe kapacitet të qëndrueshëm hetimor”.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2024 janë hetuar 33 zyrtarë të lartë publikë, ku dy prej tyre janë përfshirë në më shumë se një procedim penal. Nga këta, 19 janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim, duke përfaqësuar 52.9% të rasteve – një tregues i nivelit të lartë të përfundimit të hetimeve me akuza konkrete, shkruan Noa.al, transmeton Klankosova.tv.

Kush janë zyrtarët nën hetim dhe gjykim?

Sipas raportit të SPAK-ut, nën hetim kanë qenë një ish-kryeministër dhe një ish-kryetar Kuvendi, ndërsa në gjykim aktualisht ndodhet ky i fundit. Në listën e hetimeve përfshihen gjithashtu:

3 ish-ministra dhe 2 prej tyre tashmë në gjykim;

1 ish-zv.ministër në hetim dhe në gjykim;

4 deputetë, nga të cilët 1 është në proces gjyqësor;

7 ish-kryetarë bashkish dhe 4 në gjykim;

3 kryetarë bashkish aktualë, 2 prej tyre në gjykim;

4 ish-gjyqtarë dhe 1 në gjykim;

2 ish-prokurorë dhe 2 në gjykim;

2 ish-prefektë dhe 2 në gjykim;

3 ish-sekretarë të përgjithshëm, të gjithë në gjykim;

1 ish-drejtor nën hetim.

Në total, 33 zyrtarë të niveleve të larta kanë qenë subjekt hetimi gjatë vitit 2024, ndërsa 19 prej tyre janë tashmë përpara drejtësisë.

Këto të dhëna, sipas SPAK, tregojnë se lufta kundër korrupsionit në nivelet më të larta të administratës publike po jep rezultate konkrete, me një qasje aktive dhe të qëndrueshme nga Prokuroria e Posaçme.

Comments