Kabineti për balotazh: Kurti e kthen Kuvendin në arenë zgjedhore

156

Kryeministri Kurti përdori seancën 26 Tetorit të Kuvendit për t’i dhënë ton fushate kabinetit të ri qeveritar, duke e kthyer prezantimin e programit në një mjet politik për balotazhin e ardhshëm.

Në vend që të paraqiste një program qeverisës serioz, Albin Kurti e shndërroi seancën e së dielës në një fushatë të hapur për balotazhin e ardhshëm të zgjedhjeve lokale për kryetarë komunash.
Sipas kritikëve, Kurti përdori foltoren e Kuvendit për propagandë partiake, duke u fshehur pas shifrave të dyshimta dhe duke anashkaluar çështjen e izolimit ndërkombëtar të Kosovës.

Fokus në komunat ku LVV përballet me sfida
Kreu i Qeverisë u përqendrua në komunat ku Lëvizja Vetëvendosje po përballet me sfida në rundin e dytë të zgjedhjeve.
Duke synuar ta fitojë Mitrovicën e Jugut, Kurti propozoi Armend Mujën për ministër. Deputeti Muja është njëherësh edhe kryetar i Degës së LVV-së në këtë qytet dhe thuhet se nuk ishte plotësisht i pajtimit kur Faton Peci u propozua si kandidat për kryetar të komunës.

Për të ndikuar në Rahovec, Kurti propozoi Andin Hotin, djalin e veprimtarit të çështjes kombëtare Ukshin Hoti, i cili ende figuron si i zhdukur.
Në garën për Fushë-Kosovën, ai emëroi Avni Zogianin për ministër të Arsimit — një figurë që katër vjet më parë kishte kandiduar vetë për kryetar të kësaj komune.

Emra simbolikë për Prishtinën e Gjilanin
Edhe pse kandidati i Vetëvendosjes në Gjilan, Alban Hyseni, ka dalë i pari në rundin e parë, Kurti propozoi për ministër të Kulturës aktorin e njohur Fatmir Spahiu (Bufi).
Në Prishtinë, për të mobilizuar elektoratin e kryeqytetit, Kurti propozoi Fitore Pacollin si ministre të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Lista e plotë e kabinetit të propozuar nga Kurti
Kabineti i ardhshëm qeveritar i propozuar nga Kurti, i cili nuk mori votat e mjaftueshme në Kuvend gjatë seancës së 26 tetorit, përfshin këta emra:
• Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Jashtëm: Glauk Konjufca
• Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë: Donika Gërvalla
• Zëvendëskryeministër i tretë: Fikrim Damka
• Ministër i Financave: Hekuran Murati
• Ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale: Andin Hoti
• Ministër i Mbrojtjes: Ejup Maqedonci
• Ministër i Punëve të Brendshme: Xhelal Sveçla
• Ministër i Administratës dhe Digitalizimit: Lulzon Jagxhiu
• Ministër i Shëndetësisë: Arben Vitia
• Ministër i Arsimit: Avni Zogiani
• Ministër i Kulturës: Fatmir Spahiu
• Ministër i Sportit: Blerim Gashani
• Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal: Rasim Demiri
• Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor: Fitore Pacolli
• Ministër i Bujqësisë: Armend Muja
• Ministër i Infrastrukturës: Dimal Basha
• Ministre e Tregtisë: Mimoza Kusari-Lila
• Ministre e Energjisë: Artane Rizvanolli
• Ministër për Komunitete dhe Kthim: Nenad Rashiq
• Ministër për Zhvillim Rajonal: Sejnur Vejshall

LVV në balotazh në 12 komuna
Lëvizja Vetëvendosje do të garojë në balotazh në 12 komuna. Në dy prej tyre është renditur e para, ndërsa në dhjetë komuna kandidatët e saj janë të dytët me numrin e votave.

Comments