Al-Sharaa i shkon Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, i bashkohet koalicionit kundër ISIS-it

218

Një zhvillim historik në diplomacinë ndërkombëtare: Presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, do të vizitojë Washingtonin më 10 nëntor, ku do të takohet me presidentin amerikan Donald Trump, në vizitën e parë të një kreu shteti sirian në Shtëpinë e Bardhë që prej pavarësisë së Sirisë në vitin 1946.

Lajmi është konfirmuar ekskluzivisht nga Axios, si edhe nga Ibrahim Hamidi, kryeredaktori i gazetës Al Majalla, i cili përmend ambasadorin amerikan në Turqi, Tom Barrack, si burim të tijin konfirmues.

Sipas tij, gjatë vizitës pritet që Siria të bashkohet me koalicionin ndërkombëtar kundër ISIS-it, një hap që sinjalizon një ndryshim të madh në politikën e jashtme të Damaskut dhe mundësinë e një kapitulli të ri në marrëdhëniet SHBA-Siri.

Takimi i ardhshëm pason kontaktin e parë mes dy liderëve, që ndodhi në Riad më 14 maj, gjatë një samiti rajonal.

Kjo vizitë vjen në një moment kur burime diplomatike raportojnë se po afrohet një marrëveshje sigurie midis Sirisë dhe Izraelit, që mund të arrihet deri në fund të vitit. Deri më tani janë zhvilluar pesë raunde negociatash mes dy vendeve, të ndërmjetësuara nga aktorë ndërkombëtarë.

Historikisht, presidentët amerikanë Richard Nixon (1974) dhe Bill Clinton (1994) kanë vizituar Damaskun, ndërsa Hafez al-Assad është takuar me George H. W. Bush në Gjenevë në vitin 1991 dhe me Clintonin në vitin 2000.

Vizita e Al-Sharaa në Washington shihet si një përpjekje për të riparuar marrëdhëniet e ngrira mes dy vendeve dhe për të vendosur Sirinë në një rol të ri në arkitekturën e sigurisë së Lindjes së Mesme.

Comments