Krimi i organizuar dhe dobësia e sigurisë kombëtare në Shqipëri; Shteti i sfiduar 35 vrasje për një vit.
Prof.dr.Muhamet Racaj
Universiteti”Nënë Tereza”,Shkup
Abstrakti
Kriminaliteti i organizuar dhe atentatet e dhunshme të ndodhura në Shqipëri gjatë vitit 2025 kanë ngritur seriozisht shqetësime në lidhje me kapacitetet e shtetit për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike. Rritja e përdorimit të tritolit, e armëve të gjata dhe e metodave të sofistikuara të ekzekutimit tregon për shkallë të lartë profesionalizmi dhe për thellim të strukturimit të organizatave kriminale në territorin shqiptar. Ky studim synon të analizojë mënyrën se si krimi i organizuar po sfidon funksionet themelore të shtetit ligjor dhe ndikimin e këtij fenomeni në perceptimin publik të sigurisë kombëtare. Metodologjia mbështetet në analizën kritike të të dhënave empirike, raporteve zyrtare të Policisë së Shtetit, deklaratave politike dhe literaturës së akademisë së sigurisë. Rezultatet tregojnë për një dobësim të dukshëm të mekanizmave institucionalë dhe për një tendencë në rritje të lidhjeve midis grupeve kriminale dhe elementëve brenda sistemit publik. Studimi përfundon se përballimi i këtij realiteti kërkon rikonceptim të politikës së sigurisë, forcim të institucioneve të drejtësisë dhe rikthim të besimit të qytetarëve ndaj shtetit.
Fjalë kyçe: krimi i organizuar, siguria kombëtare, shteti i dobët, krimi transnacional, rendi publik, Shqipëria, korrupsioni institucional.
Hyrja
Konteksti historik dhe politik
Në tri dekadat e fundit, Shqipëria ka kaluar përmes një procesi të vazhdueshëm transformimi politik, institucional dhe ekonomik. Ky tranzicion i tejzgjatur, i mbushur me reforma ligjore dhe integrim euroatlantik, nuk ka arritur të përmbysë plotësisht trashëgiminë e dobësive strukturore në fushën e sigurisë publike. Ndërkohë, krimi i organizuar është shfaqur si një aktor paralel i fuqishëm, me ndikim në tregjet ilegale, në ekonominë e zezë dhe në strukturat politike lokale.Në vitin 2025, Shqipëria u përball me një valë të re vrasjesh dhe atentatesh që tronditën opinionin publik dhe ekspozuan mungesën e një strategjie efektive shtetërore për kontrollin e territorit. Bilanci i 35 vrasjeve të ndodhura nga janari deri në nëntor përfshin përdorimin e tritolit dhe armëve automatike, shpesh në qendrat urbane dhe në ambiente me prezencë të qytetarëve të pafajshëm. Ngjarje si atentati në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, ku u vra një ish-i dënuar për krim të organizuar dhe u plagos një oficer i policisë, vendosën në qendër të debatit pyetjen thelbësore: a e zotëron ende shteti shqiptar monopolin e dhunës legjitime⁽¹⁾?
Problemi dhe pyetja kërkimore
Problemi themelor që trajton ky studim është sfida e krimit të organizuar ndaj autoritetit shtetëror në Shqipëri dhe dëmtimi i besimit publik ndaj institucioneve që duhet të garantojnë siguri.
Pyetja kërkimore është:
● cilat janë faktorët strukturorë,
● politikë dhe institucionalë që kanë mundësuar forcimin dhe legjitimitetin e krimit në jetën publike shqiptare?
Objektivi dhe rëndësia shkencore
Ky hulumtim synon të identifikojë marrëdhënien midis krimit të organizuar dhe shtetit, të analizojë dobësinë e mekanizmave institucionalë dhe të vlerësojë ndikimin e këtij raporti në sigurinë kombëtare.
Studimi kontribuon në literaturën e sigurisë rajonale duke e trajtuar Shqipërinë si rast studimi të veçantë në kuadër të Ballkanit Perëndimor, ku krimi i organizuar shpesh përzihet me politikat publike, korrupsionin dhe ekonominë joformale⁽²⁾.
Pjesa Kryesore: Përpunimi i Përmbajtjes
1. Shteti dhe krimi: teoria e dobësisë strukturore
Në kuptimin e teorisë politike të shteteve të dobëta (Rotberg, 2002)⁽³⁾, një shtet i tillë karakterizohet nga paaftësia për të ofruar shërbime bazë, përfshirë sigurinë, drejtësinë dhe kontrollin territorial. Shqipëria, megjithëse anëtare e NATO-s dhe kandidate për Bashkimin Evropian, ruan tiparet e një shteti me institucione të brishta dhe me ndikim të gjerë të interesave private në vendimmarrje. Kjo e bën sistemin e saj të sigurisë të ndjeshëm ndaj infiltrimeve të krimit të organizuar dhe korrupsionit administrativ.Fenomeni i “kapjes së shtetit” është i dukshëm në disa raste konkrete, ku individë të lidhur me struktura kriminale kanë pasur akses në informacione operative ose në mbrojtje policore. Prania në automjetin e Gilmando Danit e një oficeri të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore është shembull domethënës i ndërthurjes midis kategorive që në parim duhet të qëndronin në polaritete të kundërta: ligji dhe krimi⁽⁴⁾.
2. Analiza empirike e ngjarjeve kriminale (janar–nëntor 2025)
Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit dhe analizës së mediave hulumtuese⁽⁵⁾, në periudhën janar–nëntor 2025 janë regjistruar:
● 35 vrasje, prej të cilave 19 me armë zjarri dhe 7 me eksploziv tritoli;
● 6 atentate të organizuara në hapësira të frekuentuara nga qytetarët;
● 9 viktima në Shkodër, 5 në Tiranë, 4 në Durrës dhe raste të shpërndara në Fier, Lezhë e Vlorë.
Këto ngjarje firmosin një trend të ri:
● reduktim të numrit absolut të vrasjeve krahasuar me vitin 2024,
● por rritje dramatike të shkallës së brutalitetit dhe të kompleksitetit taktik⁽⁶⁾. Përdorimi i armëve luftarake (kallashnikovë), djegia e automjeteve, zhdukja e gjurmëve biologjike dhe lëvizja e shpejtë operative tregojnë për baza profesionale, përgatitje logjistike dhe dijeni të proceseve hetimore. Këto janë tregues të infiltrimit të grupeve kriminale të strukturuara, me lidhje ekonomike dhe teknologjike ndërkombëtare.
3. Agresiviteti dhe “profesionalizimi” i krimit
Tre vite e fundit radhazi përdorën taktika profesionale të ngjashme gjegjësishtë format e atentateve kanë ngjashmëri të dukshme:
● sulme të shpejta,
● goditje të koordinuara,
● largim nga vendi dhe djegie e mjeteve. Kjo përsëritje sugjeron modelim taktik brenda grupeve kriminale, që tregon për disiplinë të brendshme dhe për investim financiar të lartë⁽⁷⁾.Ky agresivitet i vazhdueshëm ka prodhuar efekt psikologjik në shoqëri. Njerëzit e perceptojnë kriminalitetin e rrugës më pak shqetësues sesa krimin e organizuar, i cili shihet si i pandëshkueshëm dhe i lidhur me politika të larta. Studimi mbi perceptimin publik të sigurisë, publik në 2024 nga OSCE⁽⁸⁾, tregoi se 63 për qind e shqiptarëve nuk kanë besim të plotë në efektivitetin e policisë. Viti 2025, me ngjarje si atentati në Rinas apo ekzekutimet në Shkodër, e ka thelluar më tej këtë ndjesi mosbesimi.
4. Politika dhe narrativa zyrtare e “sigurisë”
Deklarata e ministres së brendshme se “Shqipëria është vend i sigurt”⁽⁹⁾ lidhet me përpjekjen e qeverisë për të treguar stabilitet para institucioneve ndërkombëtare dhe investitorëve të huaj. Por kjo narrativë u përgënjeshtrua vetëm një orë më pas me vrasjen e Rinasit, duke ekspozuar disonancën midis prezantimit politik dhe realitetit të terrenit.Në analizë të politikave publike, një qeveri që mohon përmasat reale të krizës së sigurisë humbë aftësinë për të reaguar në mënyrë të parandalueshme. Kjo sjell një efekt të rrezikshëm të “normalizimit të dhunës publike”, ku atentatet e përgjakshme trajtohen si ngjarje rutinë, e jo si kriza kombëtare që kërkojnë përgjigje institucionale të menjëhershme⁽¹⁰⁾.
5. Dimensioni socio-ekonomik dhe pastrimi i parave
Ekonomia e krimit të organizuar përbën një pjesë të rëndësishme të sistemit informal shqiptar. Sipas Bankës Botërore (2024)⁽¹¹⁾, pastrimi i parave mbetet një ndër problemet kryesore që dëmton konkurrencën e lirë dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Investimet në ndërtim, lojërat e fatit dhe transporti janë ndër sektorët ku kapitalet ilegale përfshihen më shpesh. Këto investime i japin krimit mundësinë të maskohet si sipërmarrje legjitime, duke ndikuar drejtpërdrejt në politikën lokale dhe në financimin e fushatave elektorale.Në këtë kontekst, krimi nuk është më vetëm çështje e rendit publik, por një faktor që ndikon strukturën e qeverisjes dhe zhvillimit. Kjo e shndërron Shqipërinë në një “arenë të interesave” ku grupe të shumëfishta, nga politika e deri te bota e nëntokës, garojnë për kontrollin e burimeve dhe ndikimit.
6. Roli i institucioneve të drejtësisë dhe reformat e brendshme
Reforma në drejtësi, e nisur në vitin 2016, synoi të depolitizojë sistemin dhe të krijojë struktura të reja si SPAK e BKH. Megjithatë, efektet e kësaj reforme janë ende të pjesshme. Hetimet ndaj figurave të lidhura me krimin kanë sjellë dënime sporadike, ndërsa shumë raste të krimeve të rënda mbeten pa autor. Kjo situatë gjeneron perceptimin se ekzistojnë “zona të mbrojtura” ligjërisht për krimin, çka minon thelbin e drejtësisë⁽¹²⁾.Në raportin e Komisionit Evropian për vitin 2025⁽¹³⁾, një nga vërejtjet më të qarta ndaj Shqipërisë është “mungesa e koordinimit efektiv ndërmjet policisë, prokurorisë dhe institucioneve të inteligjencës financiare”, që e pengon luftën kundër rrjeteve të pastrimit të parave dhe trafikimit.
7. Krimi si kërcënim i sigurisë kombëtare
Në kuptimin teorik, krimi i organizuar konsiderohet “kërcënim i brendshëm ndaj sovranitetit” sepse cenon aftësinë e shtetit për të ruajtur rendin dhe ofruar shërbime. Rastet e atentateve pranë objekteve të rëndësisë së veçantë (si aeroporti) janë sinjal i qartë i rrezikut strategjik. Sipas standardeve ndërkombëtare të sigurisë ajrore⁽¹⁴⁾, çdo incident brenda një rrezeje 300 metrash nga një objekt kritik përbën shkelje të kategorizuar si dështim institucional. Në rastin e Shqipërisë, këto ngjarje tregojnë jo vetëm mungesë të kontrollit, por edhe potencial për manipulim të informacionit brenda sistemit të sigurisë.
8. Ndikimi psikologjik dhe shoqëror
Në aspektin e perceptimit publik, vrasjet dhe shpërthimet me tritol kanë krijuar ndjesinë e një “arenë lufte” urbane. Media, përmes raportimeve të përditshme, ka ushqyer një kulturë të frikës që shpesh çon në vetë-censurim të qytetarëve dhe në shmangie të përfshirjes civile në proceset komunitare⁽¹⁵⁾. Ky efekt social shfaqet si pasojë indirekte e dhunës së vazhdueshme — qytetari që ndalet së besuari se shteti mund ta mbrojë.Kjo është veçanërisht e rrezikshme në demokracitë e brishta, ku legjitimiteti institucional bazohet më shumë në perceptim sesa në mekanizma funksionalë realë⁽¹⁶⁾.
Përfundimi dhe Rekomandimet
Studimi vërteton se Shqipëria po përballet me një fenomen ku krimi i organizuar ka fituar elasticitet të lartë institucional dhe shtrirje të gjerë territoriale. Strukturat kriminale kanë mësuar të përshtaten me rregullat e sistemit, duke e sfiduar drejtpërdrejt shtetin përmes dhunës selektive dhe blerjes së heshtjes institucionale⁽¹⁷⁾.
Për të rikthyer funksionalitetin e shtetit ligjor, rekomandohen këto masa thelbësore:
● Ristrukturimi i sistemit të policisë dhe shërbimeve të inteligjencës.
● Kërkohet ngritja e një qendre të integruar të komandimit që koordinon në kohë reale reagimin ndaj krimeve të rënda dhe atentateve⁽¹⁸⁾.
● Forcimi i hetimeve financiare. Hetimi duhet të zhvendoset nga ndëshkimi individual i atentatorëve drejt rrugëve të financimit, që përbëjnë shtyllën operacionale të krimit të organizuar⁽¹⁹⁾.
● Depolitizimi i institucioneve të zbatimit të ligjit. Përzgjedhja dhe promovimi i efektivëve duhet të bazohet vetëm në kritere merita profesionale dhe jo në patronazh politik⁽²⁰⁾.
● Rritja e transparencës publike. Qeveria duhet të raportojë periodikisht në mënyrë të verifikueshme mbi ecurinë e hetimeve të ngjarjeve të rënda, duke përfshirë organizatat e shoqërisë civile⁽²¹⁾.
● Edukim dhe vetëdijësim qytetar. Shkollat dhe universitetet duhet të përfshijnë programe mbi sigurinë qytetare dhe përgjegjësinë civile për bashkëpunim me institucionet e shtetit⁽²²⁾.
● Bashkëpunim ndërkombëtar i avancuar. Përfshirja e Europol, Interpol dhe agjencive të sigurisë së vendeve partnere mund të garantojë kapacitet teknik dhe informativ të mjaftueshëm për luftë efektive kundër krimit⁽²³⁾.
Në përfundim, kriza e sigurisë publike në Shqipëri duhet të konsiderohet si çështje ekzistenciale për funksionimin demokratik të shtetit. Vetëm një përballje e hapur, e mbështetur në meritokraci institucionale, transparencë dhe bashkërendim ndërinstitucional, mund të rikthejë rendin dhe besimin në shoqëri⁽²⁴⁾. Krimi i organizuar nuk është më vetëm akt i jashtëligjshëm, por mekanizëm i pushtetit informal që sfidon vetë konceptin e shtetit modern⁽²⁵⁾.
Literatura e shfrytëzuar:
1.Rotberg, R. I. (2002). The Failure and Collapse of Nation-States: Breakdown, Prevention, and Repair. Brookings Institution Press.
2.Bayley, D. H. (2006). Changing the Guard: Developing Democratic Police Abroad. Oxford University Press.
3. Faktoje.al (2025). “Shqipëria ‘arenë lufte’: 35 vrasje me tritol dhe armë në gati 1 vit.
4.”OSCE (2024). Public Security Perception Survey in Albania.
5.Banka Botërore (2024). Albania Country Risk Assessment Report.
6.Qendra Shqiptare për Studime të Sigurisë (2025). Raporti Kombëtar për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin në Shqipëri.
7. Shteti Shqiptar (2025). Raporti Vjetor i Policisë së Shtetit mbi Krimin e Rëndë dhe Sigurinë Publike.
8.Softa, F. (2025). “Krimi dhe Siguria Kombëtare në Shqipëri.” Intervistë për Faktoje.al.

