Standardet e dyfishta në vlerësimin e progresit evropian të Maqedonisë së Veriut!
Eurodeputetja sllovene Irena Joveva, në një deklaratë për agjencinë MIA, ka shprehur mendimin se “nuk është e drejtë që Maqedonia e Veriut të vendoset në të njëjtin nivel me Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën kur flitet për progresin në rrugën evropiane”. Ajo theksoi gjithashtu se “Mali i Zi dhe Shqipëria, janë më përpara në aspektin e reformave”.
Zonja Joveva, si eurodeputete sllovene me prejardhje nga Maqedonia e Veriut, ka të drejtë të analizojë vlerësimet e fundit të Komisionit Evropian dhe të Këshillit të Evropës për vendin e saj të origjinës. Megjithatë, vlerësimi i saj bie ndesh drejtpërdrejt me deklaratën e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, z. Kristijan Mickoski, i cili vetëm pak ditë më parë deklaroi se “Maqedonia e Veriut ndodhet në të njëjtin nivel me Serbinë dhe Malin e Zi në rrugën e integrimit evropian, ndërsa pas nesh janë Shqipëria, Bosnja dhe Kosova”.
Ky kontrast mes deklaratës së eurodeputetes dhe asaj të kryeministrit reflekton mungesën e një qasjeje të unifikuar dhe profesionale në komunikimin politik që lidhet me procesin e integrimit evropian. Njëra palë e sheh Maqedoninë e Veriut si vend që padrejtësisht është futur “në të njëjtin thes” me shtetet që kanë ngecur në reforma, ndërsa pala tjetër e vendos veten në pozitë krahasuese për të dëshmuar “përparësi” ndaj fqinjëve.
Deklarata e kryeministrit Mickoski, me ton cinik dhe politikisht të motivuar, synon më shumë të ushqejë retorikën e brendshme partiake sesa të reflektojë realitetin e reformave në vend. Në të kundërt, vlerësimi i zonjës Joveva, ndonëse i nuancuar, është më afër analizave objektive të institucioneve evropiane, të cilat prej vitesh theksojnë se progresi i Maqedonisë së Veriut varet nga konsolidimi i shtetit të së drejtës, depolitizimi i administratës dhe respektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.

