Haqim Ramadani:”Nuk më dhemb pse ujku më hëngri delet e mia – më dhemb pse edhe qentë e kopesë sime iu bashkuan në atë ngrënie”
Ish kandidati i VLEN-it për Bërvenicën, Haqim Ramadani i ka quajtur qen ata që e tradhëtuan duke aluduar tek liderët e VLEN-it.
“Por nuk më dhemb pse ujku më hëngri delet e mia – më dhemb pse edhe qentë e kopesë sime iu bashkuan në atë ngrënie” ka shkruar sot Haqim Ramadani i cili nuk do të ndalet për të mirën e popullit.
Ja letra e plotë e tij:
Letër për ata që mendojnë se frika mban njerëzit nën urdhra!
Sot, më paskan dërguar një letër përkëdhelëse, por në thelb kërcënuese.
E nderuar sekretare shtetërore znj. Juliana, e kuptoj shqetësimin dhe presionin që po tentoni të ushtroni përmes telefonit.
Por siç thotë ai filmi për Ismail Qemalin: “Pse s’u lutët kur e arrestuat, por tani silleni si e mira?”
Ju njoh mirë tash 16 muaj – dhe më mirë se unë e dinë shqiptarët që punojnë në atë ministri se si i maltretoni.
Kot e keni. Edhe ju, edhe të gjithë ata që mendojnë se pushteti është përjetësi – ditët i kemi të numëruara.
Ligjërisht nuk kishit asnjë të drejtë. Nga dita kur shpallen zgjedhjet, kryeministri nuk mund as të emërojë, as të shkarkojë. E megjithatë, më shkarkuat moralisht nga institucioni.
Tani, ndoshta prisni vetëm momentin të më “shkarkoni” edhe juridikisht.
Por nuk më dhemb pse ujku më hëngri delet e mia – më dhemb pse edhe qentë e kopesë sime iu bashkuan në atë ngrënie.
Më keni tentuar të më ulni, të më poshtëroni, të më fshini autoritetin.
Por autoriteti nuk jepet me dekret dhe as nuk merret me letër.
Ai ndërtohet me ndershmëri, me qëndresë dhe me dinjitet – vlera që ju s’i njihni.
Më turpëruat, por mos harroni – edhe Gruevski turpëroi shumë shqiptarë, dhe sot endet i arratisur në Budapest.
Historia nuk i fal ata që përdorin shtetin për hakmarrje personale.
Vendosni gishtin në kokë dhe mendoni mirë:
Kush bën keq, përfundon në burg – në Budapest, në Tiranë, në Moskë apo kudo tjetër.
“Ujku ndërron qimen, por jo zakonin.”
“E vërteta nuk trembet, edhe kur mbetet e vetme.”
“Kush lufton për drejtësi, nuk njeh frikë.”

