Konjufca kujton si VV-ja ia votoi buxhetin Qeverisë Hoti: Njëjtë po kërkoj edhe nga ju sot

82

Mandatari për kryeministër, Glauk Konjufca ua kujtoi deputetëve të partive të tjera, si VV-ja e pati votuar buxhetin e Qeverisë Hoti në vitin 2020.

Sipas tij, nëse VV-ja nuk do ta votonte në atë kohë, do të ishte përgjegjëse e një krize nga e cila do të rrezikoheshin pagat e sektorit publik.

Me këtë kujtesë, Konjufca kërkoi nga deputetët e pranishëm në seancë, të veprojnë njëjtë sot, njofton Klankosova.tv.

“Po ua sjell në mendje po ashtu, po kërkoj nga ju diçka që në vetë e kemi pasë bërë në vitin 2020. Na kujtohet si VV-ja e pati votuar buxhetin e qeverisë Hoti. Neve, nuk na u duk ai buxhet i Hotit, por i shtetit të Kosovës, edhe ne mund mos ta kishim votuar, por do të ishim përgjegjës i një krize nga e cila rrezikoheshin të gjitha pagat e sektorit publik”.

“Ne bëmë dallimin mes asaj që ishte interes publik dhe betejë politike e përditshme. E ditëm që nëse nuk votohej ai buxhet nga ne, goditjen në atë kohë do ta kishin marrë ushtarët dhe policët tanë, arsimtarët e mjekët, administrata dhe pensionistët. E kapërcyem atë ditë, e njëjta po kërkohet edhe nga ju sot”, tha ai, njofton Klankosova.tv.

Comments