Fundjavë me reshje të dendura dhe ulje të temperaturave, ja kur priten reshje të borës

61

Në mëngjes, në disa lugina pritet të ketë mjegull. Gjatë ditës moti do të jetë i ndryshueshëm, me vranësira dhe reshje të herëpashershme lokale shiu paradite dhe në orët e mbrëmjes. Do të fryjë erë mesatare deri e përforcuar, kryesisht nga drejtimi jugor. Temperatura minimale do të jetë nga 7 deri në 11 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 15 deri në 19 gradë.

Në Shkup, gjatë mëngjesit në pjesë të luginës pritet mjegull. Ditën, moti do të jetë kryesisht me vranësira dhe reshje të dobëta të herëpashershme shiu. Do të fryjë erë mesatare nga drejtimi juglindor. Temperatura minimale do të zbresë deri në 8 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë deri në 17 gradë.

DPHM njofton se, nën ndikimin e një aktiviteti ciklonik, do të vazhdojë periudha e motit të ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale shiu. Të premten dhe gjatë fundjavës priten reshje më të dendura, mbi 30 litra për metër katror brenda 24 orëve, lokalisht të shoqëruara me mot të lig, erë të fortë dhe mundësi bubullimash.

Nga e diela, temperaturat e mëngjesit dhe të ditës do të bien ndjeshëm, ndërsa në viset më të larta reshjet e shiut do të shndërrohen në reshje të dobëta bore.

Comments