Zgjedhjet po mbahen në datën e preferuar të tij, reagon Albin Kurti

65

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas shpalljes së 28 dhjetorit si ditë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Kurti, që sot ishte pjesë e takimit ndërmjet presidentes Vjosa Osmani dhe liderëve të partive politike, u shpreh se “dita e zgjedhjeve është festë e demokracisë”, shkruan IndeksOnline.

“Ne e mirëpresim caktimin e datës 28 dhjetor nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, si datën më të përshtatshme për zgjedhjet e parakohshme që po na presin” u shpreh Kurti, duke thënë se duhet siguruar që institucionet të kenë kohën e mjaftueshme për të bërë përgatitjet e nevojshme për proces zgjedhor.

Ky është reagimi i plotë i tij:

Dita e zgjedhjeve është festë e demokracisë. Ajo bëhet edhe më madhështore kur ka pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve tanë me të drejtë vote. Në të njëjtën kohë, duhet të sigurohemi që institucionet shtetërore kanë kohën e mjaftueshme për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që procesi zgjedhor të jetë i rregullt, i drejtë dhe demokratik. Andaj, ne e mirëpresim caktimin e datës 28 dhjetor nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, si datën më të përshtatshme për zgjedhjet e parakohshme që po na presin.

Kujtojmë se pas takimit të sotëm në Presidencë, LDK-ja, PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma deklaruan se kanë propozuar datën 21 dhjetor – për të mbajtur zgjedhjet.

Nga ana tjetër, LVV-ja, Guxo dhe Alternativa propozuan dan 28 – si ideale për zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Me të përfunduar takimi, Osmani dekretoi shpërndarjen e legjislaturës së nëntë të Kuvendit, duke i hapur rrugë mbajtjes së zgjedhjeve qendrore, të dytat për këtë vit./IndeksOnline/

Comments