“ÇLIRIMI” I TETOVËS KARSHI DHEMBJES QË SHPËRFAQET PARA SYVE TË MI
Ka momente të befta kur një qytet të flet, edhe atë, jo me fjalë, por me pamje. Dhe ajo që pashë sot (19 nëntor) në qendër të Tetovës — në qytetin tim, në shtëpinë time, në vendin ku 85% e njerëzve flasin shqip, ëndërrojnë shqip, jetojnë shqip – më sëmboi në zemër; më dhembi thellë.
Në zemër të Tetovës defiluan uniforma të armatosura, të rreshtuara dhe me marshim plot çallam e krekosje si bretkosa moçali, për të shënuar atë që e quajnë “Dita e Çlirimit të Tetovës”. Dhe, në atë çast, brenda meje, diçka u thye – për të shpërthyer në mëndjen time të turbulluar një mori pyetjesh të shkurta e të gjata, dhe që më dogjën kraharorin mu si prush:
Nga kush u çlirua Tetova?
Kush e çliroi?
Dhe, pse sot në epokën digjitale, akoma dikujit i duhen armë për të festuar një “çlirim”?
A thua, vallë, ky spektakël i armëve bëhet për të kujtuar se kush ka forcën në dorë?
A është vallë një mesazh i heshtur për ne shqiptarët e kësaj Nahie?
Ku janë zërat tanë, përfaqësuesit tanë, ata që u ulën në karrige falë votës sonë?
Pse heshtim? Pse nuk shohim as edhe një shenjë se ky qytet, kjo Nahi, ky shtet është edhe i yni?
E ndjej veten si në atë fabulën e Ezopit: “Ujku dhe qengji”, ku, ujku gjithmonë gjen arsye, qoftë edhe absurde, për t’u hedhur mbi qengjin — edhe kur ai fare nuk ka faj; edhe kur uji rrjedh poshtë tij.
Po kështu më duket kjo paradë me kundërmime militariste që indicon në një arsye për të shpallur fuqi aty ku askush nuk kërkon as luftë, as përplasje, as çlirim e as robërim…
Unë nuk jam politikan.
Nuk jam figurë publike.
Jam vetëm një njeri i thjeshtë nga një fshat i rrethinës së Tetovës – me profesion pedagog shkollor, me një shpirt subtil poetik.
Sido që të jetë kjo nuk çon peshë. Por, peshë çon fakti që korrespondon me momentin që ngjall iritim kur sheh skena të tilla trishta të njerëzve me uniforma duke marshuar mu në qendër të qytetit tim, e të të pushtojë një ndjenjë latente që mos mundesh ndryshe ta shpjegosh, veçse si plagë e dhembje…
Dhembje e një qyteti që ende trajtohet si territor jo i barabartë për të gjithë banorët e saj, apo të llogaritet si shtëpi ku çelësat i mban qiradhënësi. E, në këtë rast “të tjerët” llogariten qiramarrës në shtëpi të vet.
Dhe, po, e di shumë mirë se, në këto vrulle jete, këtë indinjatë shpejt do ta fashitë era. Do të përhumbet, do të harrohet e nuk do të përfillet fare – si gjithnjë.
Por, si do që të jetë, unë nuk kam ndërmend të hesht. Jo se jam i fuqishëm, por, se, më dhemb e më sfilitë. Më dhemb Tetova ime. Më dhëmb kur shoh arrogancë, qoftë të një individi, qoftë të një pushteti të papërgjegjshëm dhe jo inkluziv. Më dhemb kur shoh që, në vend të respektit ndaj qytetit, mbahet një paradë që e përjashton shumicën e atij qyteti.
Ky jam unë. Të këtillë duhet të jemi Ne! Kështu e ndjej unë. Kështu duhet të ndjehemi të gjithë Ne. Fundi-fundit: “Unë jam Unë – përballë: NE.” Ndaj, kështu do të flas e do të veproj Unë (ashtu siç duhet të flasim e të veprojmë të gjithë Ne) — pa frikë dhe pa u dorëzuar para “krekosjes dhe budallepsjes” së të tjerëve.
19.11.2025
Syrja ETEMI
